Radikalët serbë: Mallrat serbe po doganohen në Kosovë

Grupi i këshilltarëve të Partisë Radikale Serbe (SRS) do t’ia dorëzojë sot iniciativën Kuvendit të qytetit të Novi Sadit (kryeqytet i Vojvodinës) për ta emërtuar një rrugë të këtij qyteti me emrin e Sllobodan Millosheviqit, ish kryetar i Jugosllavisë së cunguar dhe Serbisë, i akuzuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës, i cili vdiq gjatë qëndrimit në paraburgim në Scheveningen.
Sipas arsyetimit të radikalëve, Millosheviqi ishte figurë dominonte politike në skenën serbe.
“Ai me mbrojtje heroike të shtetit dhe popullit serb gjatë procesit gjyqësor në Hagë, e ka merituar që një rrugë në Novi Sad të emërtohet sipas tij”.
Kjo parti politike, që lirisht mund të quhet edhe fashiste, ka ftuar sot regjimin serb që të ndërpresë “politikën tradhtare dhe përulëse” dhe të ndërpresë bisedimet për përafrim me BE-në, transmeton koha.
Sipas nënkryetares së saj, Radeta, Këshilli ministror i BE-së dhe pushteti serb po e vazhdojnë lojën e “shkopit dhe karotës” – Serbia ndoshta në qershor do ta marrë datën e fillimit të bisedimeve, nëse Ashton në pranverë paraqet raport pozitiv për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, kursde kusht për këtë është shpërbërja e të ashtuquajturave institucione paralele në veri të Kosovës, përkatësisht të gjyqësisë, policisë dhe komunave serbe, asisoj që në Kosovë të mos mbetet asnjë ingjerencë e shtetit të Serbisë.
Prapë sipas radikalëve është e qartë që BE-ja nuk e do Serbinë dhe se pas përmbushjes së këtyre kushteve do të paraqesë kërkesa të reja, të cilat regjimet serbe që nga viti 2000 i pranojnë, duke mos pyetur se sa iu kushton kjo gjë interesave nacionale.
Nënkryetarja e radikalëve tha se nënkryetari i qeverisë, Vuçiq mbrëmë ka pranuar se mallrat serbe doganohen në Merdarë ose në pjesën jugore të Mitrovicës, gjë që paraqet dëshmi se Serbia nuk ka më kurrfarë ingjerenca në Kosovë dhe se radikalët kishin të drejtë kur pohonin se Nikoliq e Vuçiq do të bëjnë atë që nuk ka guxuar ta bëjë Tadiqi./Indeksonline/