Radioja shqip në Belgjikë mbush 25 vjeç
Radio “Jehona e Shqipes” në Bruksel ka mbushur 25 vite transmetim. Emisioni i parë i saj është realizuar në shkurt të vitit 1986 nga një grup të rinjsh shqiptarë, që në kërkim të identitetit zgjodhën të shprehurit, si mënyrën më të mirë për t’iu përafruar rrënjëve të tyre kulturore. Që në atë kohë u përpunua një platformë kombëtare dhe gjithëpërfshirëse, duke i dhënë prioritet absolut bindjes që ky mjet informimi duhet të qëndronte i pavarur. Në këtë mënyre radio “Jehona e Shqipes” nuk përjashtoi asnjë fraksion a grupim veprues mes komunitetit në atë kohë, përkundrazi u bë zëri i të gjithëve, duke luajtur edhe rolin e bashkimit të komunitetit. Nga viti 1986 gjer në vitin 1989 ka qenë periudha e strukturimit dhe afirmimit të programit te dëgjuesit. Kjo u bë jo vetëm nëpërmjet emisioneve që transmetoheshin, por edhe në aspekte të ndryshme organizative. Kështu për shembull në vitin 1986 “Jehona e Shqipes” është partnere në xhirimet e filmit të parë shqiptar të realizuar jashtë kufijve, për filmin “Prilli i thyer” të regjisores franko-shqiptare Lirie Begeja, të realizuar në Korsikë të Francës. Një grup prej 150 figurantësh nga Belgjika, nën organizimin e “Jehonës së Shqipes” marrin pjesë në xhirime. Në harkun kohor 1989 - 1990 me procesin e rënies së sistemit komunist në vendet e bllokut të Lindjes, Shqipëria ishte vendi i fundit ku rezistoi diktatura, ndaj dhe interesi europian në drejtim të këtij vendi ishte i lartë. Në mënyrë të veçantë te komuniteti shqiptar që jetonte në Belgjikë. Duke qene organi i vetëm mediatik shqiptar në këtë shtet, kjo radio ishte porta e parë ku trokitej për t’u informuar. Pas fillimit të ndryshimeve demokratike dhe ndërtimit të sistemit pluralist në Shqipëri, radio u interpelua nga shumë prej liderve të rinj shqiptarë, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehen në mikrofonin e saj. Me rastin e 25-vjetorit të themelimit të radios “Jehona e Shqipes” është zhvilluar së fundi në Bruksel një mbrëmje përkujtimore, e projektuar e menduar si një takim falënderues për të gjitha ata që nëpërmjet kontributit të tyre kanë ndihmuar në ekzistencën e radios së vetme të pavarur që flet shqip në zemër të Brukselit. “Ditari” i radios u shoqërua me shpërndarjen e disa titujve mirënjohje nga drejtori aktual i radios, njëherazi edhe themelues i saj, Sakip Skepi. Mes personave të nderuar kishte edhe gazetarë belgë, si Jean Pierre-Martin, reporter i RTBL, Edouard Van Velthem, gazetar i se përditshmes Le Soir dhe Axel Byuse aktualisht diplomat. Mbrëmja u përshëndet me një mesazh dhe nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, që ka përgëzuar punën dhe rolin që ka luajtur “Jehona e Shqipes” në 25 vite transmetim. Elona Zhana