Margarita Xhepa, vlerësim nga regjisori i Oskar
Ajo mbetet imazhi më i dashur i nënës në kinematografinë shqiptare e për këtë është vlerësuar gjatë karrierës së saj të gjatë. Margarita Xhepa sërish rikthehet si fituese e çmimit aktorja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër “Shqip Film Fest”, që përfundoi dje në Pejë. Me rolin e nënës në filmin “Shkallët”, të regjisorit Ilir Harxhi dhe skenar të Artan Minarollit, ajo bëri për vete jurinë ndërkombëtare të përbërë nga regjisori danez fitues, i çmimit ‘Oskar’ për filmin me metrazh të shkurtër, Martin Strange Hansen, nga Estonia; regjisori Tanel Toom, shkrimtari Martin Brierley, fotografi Bohman Motamedian dhe aktori shqiptar Blerim Destani. Në filmin “Shkallët”, i treti film me metrazh të shkurtër realizuar nga regjisori Harxhi, aktorja Margarita Xhepa interpreton rolin e nënës së një biznesmeni në fushën e ndërtimeve, një i pangopur për të bërë para aq sa dëshira për të fituar sa më shumë e çon deri aty sa edhe pallatin ku banon vete ta ndërtojë jashtë standardeve, duke ngushtuar aq shumë shkallët sa mezi kalon dhe një njeri. Kjo i sjell dhe fundin tragjik djalit që kurrë s’i dëgjoi këshillat e nënës. Një histori tragjikomike, me situata groteske, ku nëna Margarita mban gjithmonë me vete merakun për djalin e saj. Nëna vazhdimisht e këshillon, ajo i vë dhe një hudhër në xhep, pasi mendon se në radhë të parë ai duhet të ruhet nga shëndeti edhe pse ai s’e dëgjon kurrë dhe fundi për të është tragjik, ku as të vdekur nuk e zënë shkallët. Por pavarësisht kësaj nënë-shkreta gjen gjithmonë një justifikim për sjelljen e të birit. E pikërisht për interpretimin e veçantë që ajo solli në këtë film, që e riktheu pas shumë vitesh në sheshxhirim, aktorja Margarita Xhepa mori vlerësime sidomos nga kryetari i jurisë së Festivalit, fituesin e çmimit ‘Oskar’ për filmin me metrazh të shkurtër, “Baby-Oskar”, Martin Strange Hansen. Ky film është vlerësuar edhe me çmimin “Grand Prix” në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër në Festivalin e Kinematografisë së vendeve mesdhetare (2009), që u zhvillua në Montpelier, si dhe filmi më i mirë me metrazh të shkurtër në “Tirana International Film (2008). Në film interpretojnë edhe aktorë të tjerë si: Gentian Zenelaj, Anjeza Vuthaj, Genc Fuga, Ledio Lako, Naun Shundi, etj. Filmi më i mirë i festivalit në Pejë u shpall filmi polak “HTTP:/” i regjisorit Bartosz Kruhlik, i cili bashkë me kolegen e tij Paulina Skibinska mori dhe çmim për skenarin më të mirë. Aktori më i mirë u shpall izraeliti Shacher Netz, për interpretimin në filmin “Hakol Zorem” dhe regjisori më i mirë turku Gucly Yaman për filmin turko-gjerman “The Journey of no return”. Me çmimin special të jurisë ndërkombëtare të Festivalit u vlerësua regjisori kosovar Korab Leçaj, për realizimin e filmit “Gjini”, një film që në qendër ka pasojat e luftës në një familje shqiptare në Kosovë. Në Festivalin Ndërkombëtare të filmit me metrazh të shkurtër u shfaqën 23 filma nga 11 vende të ndryshme të botës. A.Tuci