E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajoni ka nevoje per gjithe perfshirje dhe jo per izolime

Intensifikimi i bashkëpunimit politik, ekonomik në kuadër të integrimit euro-atlantik mes Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës ishin pjesë e takimit që zhvilloi Presidenti, Bujar Nishani me Kryeministrin e Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Nikšić dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën zyrtare, që po zhvillon në vendin tonë me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë. Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe u shpreh se ka ende shumë hapësirë për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

Sipas tij, është e plotësisht e mundur që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të krijojnë një model bashkëpunimi të vlefshëm për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe më gjerë. Kreu i Shtetit nënvizoi se zhvillimet e fundit në Ballkan kanë krijuar shtetin e ri të Kosovës, i cili nëpërmjet ndërtimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike, po i shërben stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi se “besoj se rajoni ka nevojë për gjithëpërfshirje dhe jo për izolime”. Nga ana e tij, Kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës Nermin Nikšić e çmoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Shqipërisë për stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe integrimin e saj euro-atlantik duke ndarë të njëjtin mendim se veçanërisht bashkëpunimi në fushën e turizmit, energjitikës, shkëmbimit tregtar e kulturës do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona. Kryeministri Nikšić e konsideroi nxitjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy vendeve si një instrument shumë të rëndësishëm që promovon njohjen ndërmjet popujve tanë dhe mundësitë për bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›