E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, 2 të vdekur në ndjekje policeske të 2 shqiptarëve


ROME-  Një 25-vjeçare italiane ka vdekur në vend, gjatë një aksioni policor për kapjen e dy shqiptarëve, të cilët kishin vjedhur 50 euro. Viktimë mbeti dhe një prej shqiptarëve. Ngjarja e rëndë ndodhi në Terni, dy shqiptarët po ia mbathnin me një makinë e tipit Fiat Panda. Mjeti i tyre  u përplas me makinën në të cilën ndodhej vajza.

Njëri nga djemtë, 28 vjeç vdiq në vend, ndërsa tjetri, 21 vjeç është plagosur rëndë, në gjendje kritike për jetën, bën të ditur agjencia e lajmeve ANSA. Aksidenti ndodhi ndërmjet zonës Terni e Spoleto. Policia italiane bëri me dije se po i ndiqte të rinjtë, pasi në bashkëpunim me dy të tjerë, i kishin vjedhur një të moshuari 64 vjeçar, 50 eurot që ai kishte në portofol.

Më pas, hajdutët ia kanë mbathur , e për këtë arsye policia është vënë në lëvizje për t'i arrestuar. Në orën 5 të mëngjesit, ka ndodhur edhe përplasja mes makinave, prej të cilit vdiq shtetasja italiane, shqiptari 28 vjeçar, dhe u plagos tjetri 21 vjeç. ndërkohë, policia është vënë në kërkim të dy të tjerëve që morën pjesë në vjedhje. Mediat italiane nuk bëjnë të ditur identitetin e viktimave.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›