E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet Kuvendi miratoi me 72 vota pro ndarjen e mandateve

Ligjvënësit mbyllen sot në mënyrë përfundimtare debatin për ndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kështu në seancën e sotme parlamentare, deputetët të ndarë në pro dhe kundër propozimit për lënien në fuqi të skemës së përdorur në zgjedhjet e 2009, debatuan ashpër mbi një çështje të tillë. Nuk i kishin bërë llogaritë që në fillim. Të penduar socialistët kërkuan për herë të fundit kompromis për mandatet, por mazhoranca nuk u tërhoq – tha se do të zbatojë ligjin.  E miratoi me 73 votat e saj projektin e shpërndarjes së 140 mandateve, pa ndryshuar asgjë nga skema e vitit 2009. Ndërsa opozita siç pritej votoi kundër.  Votës pro iu bashkua deputeti, Kastriot Islami, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule abstentoi, ndërsa deputeti Gazmnd Oketa nuk mori pjesë në votim. 
Diskutimi për ndarjen e mandateve Nis nisje të diskutimeve për ndarjen e mandateve, relatori i çështjes, Edi Paloka ka lexuar para relacionin e miratuar nga Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e shumicës. Në gjykimin e tij, KQZ konsumoi të gjithë rrugën administrative për të vendosur për çështjen e ndarjes së mandateve, duke mos mundur të miratojë vendim për këtë çështje, pasi nuk u arrit numri i kërkuar i votave pro.  “Njollosja e procesit që në fillim nga anëtarët e propozuar nga opozita, që në vend të zbatimit të ligjit, bënë zbatimin e urdhrit si militantë politik. Kuvendi ka kompetencë të plotë të miratojë ndarjen e mandateve të deputetëve, është detyrim i vendosur në Kodin Zgjedhor. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit zgjedhor në kolaps”, argumentoi ligjvënësi demokrat Paloka. Por përkundrejt këtij argumenti ka ardhur dhe qëndrimi i PS-së, e cila përmes deputetit, Damian Gjiknuri akuzoi shumicën në Kuvend për diktat politik dhe ndarje të mandateve në shkelje të plotë të ligjit. “Paniku që e ka zënë Berishën po e bën të veprojë në mënyrën më të njëanshme. I vetmi qëllim i tij është të mbrojë interesin e tij personal dhe familjes, që duke braktisur certifikatën të gëzojë ekzilin e tij politik në qetësi. Kjo s’ka për të ndodhur”, vlerësoi Gjiknuri. Ndërsa ligjvënësi socialist, Ben Blushi në fjalën e tij, pasi mbështeti diskutimin dhe marrjen e një vendimi nga ana e Kuvendit mbi këtë çështje, kërkoi nga mazhoranca parlamentare që të bazohet në lëvizjen demografike të popullisisë gjatë kësaj periudhe, me qëllim realizimin e një procesi të gjithë pranuar. “Opozita nuk kërkon të marrë të drejta që nuk i takojnë, as të qeverisë me ju, por kërkon që loja të fillojë në mënyrë të barabartë. Ne 20 vjet ky parlament nuk ka bërë këtë që po tentoni të bëni ju sot, të ndani në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës. Ky është vendim i njëanshëm që nuk ju çon asgjëkundi. Doni ta ndani Shqipërinë si të doni, po ndani vendin jo në banorë por në votues. Ju po deportoni pupullsinë”, vlerësoi Blushi. Kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi qëndrimi i mazhorancës sot përbën precedentin e parë në 22 vite pluralizëm parlamentar.  Duke akuzuar shumicën në Kuvend për shkelje të Kushtetutës, Ruçi kërkoi nga grupit parlamentar demokrat që të shtyjnë miratimin e këtij projektit, deri në gjetjen e konsensusit mes palëve.  “Jeni në shkelje të plotë të Kushtetutës. Se kuptoj se çfarë ka këtu për votuarne ndryshe dhe ju ndryshe. Po u hiqni qytetarëve të drejtën e barabartë për të votuar, duke hequr një nen të Kushtetutës. Propozoj që ta shtyjmë miratimin, të gjejmë dhe të përafrojmë qëndrimet politike në zbatim të plotë të Kushtetutës, të Kodit Zgjedhor dhe të të gjithë precedentëve parlamentare”, u shpreh Ruçi.  Një kërkese të tillë i është përgjigju homologu demokrat i cili shpjegoi pozicionin e Kuvendit mbi një çështje të tillë. “Nuk na takon të marrim lapsin të bëjmë pjesëtime e shpenzime që duhej ta bënte KQZ. Nuk mund të kthehemi në një vendim që u rrëzua për shkak të matematikës së dobët të Edi Ramës. Nuk kishim asnjë rezervë për 2012 jemi po aq të pandjeshëm dhe për 2009-ën se ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Atyre nuk u dalin llogaritë ngado që i vërtisin. Ju ftoj të largoni paranojat e të çlironi vetën. Nuk është faji i tyre që Edi Rama nuk ngjit, që Edi Rama humb gjithmonë. Nuk është faji i KQZ që Edi Rama nuk e kalon klasën asnjëherë. Hiqni barrikadat e KQZ e mos e shndërroni në arenë përleshjesh të kota. Meqë e keni bërë zakon të qani gjithmonë bëjeni zemrën gurë dhe deklaroni tani se do të pranoni rezultatin. Nuk po shkojmë në luftë por në zgjedhje”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›