“Raketa drejt Ukrainës”, Moska nxori bisedat e oficerëve gjermanë. Kancelari Scholz: Hetim i plotë dhe i shpejtë

Kancelari gjerman Olaf Scholz është zotuar se do të ketë një hetim të plotë mbi përgjimin e kryer nga Rusia e cila publikoi një regjistrim të një bisede telefonike midis oficerëve të lartë të Forcave Ajrore gjermane, në të cilën ata diskutonin për furnizimin me raketa të Ukrainës.
Duke folur pas takimit me Papa Françeskun në Romë, Scholz e përshkroi incidentin si një aferë shumë të rëndë.
“Do të hetohet me shumë kujdes, intensivisht dhe shpejt”, u shpreh ai.
Politikanët nga partitë në koalicionin e Scholz shprehën shqetësimin se Rusia mund të ketë përgjuar biseda të tjera të ndjeshme dhe se komunikimet e qeverisë mund të mos mbrohen më në mënyrë adekuate.
Të premten Margarita Simonyan, kreu i transmetuesit shtetëror rus RT, publikoi një regjistrim në Telegram, në të cilin kreu i Luftëaffe, Ingo Gerhartz, diskutonte mundësinë e vendosjes së raketave gjermane Taurus në Ukrainë me oficerë të tjerë të lartë.
Në bisedën 30-minutëshe ata diskutuan gjithashtu nëse Ukraina mund të sulmonte objektivat ruse pa pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë dhe sa raketa mund të dorëzoheshin në Ukrainë.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, oficerët po flisnin në platformën e konferencës Ëebex. Ministria gjermane e mbrojtjes tha se “sipas vlerësimit tonë, një bisedë me Luftëaffe u përgjua. Nuk mund të themi me siguri nëse janë bërë ndryshime në versionin e regjistruar apo të transkriptuar që po qarkullon në mediat sociale.”
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli të shtunën për planet e forcave të armatosura gjermane, të cilat u bënë të dukshme për shkak të publikimit të regjistrimit audio.
Berlini ngriti alarmin se siguria e komunikimeve të ushtrisë ishte komprometuar në një mënyrë kaq flagrante, me shumë politikanë të lartë që kërkonin reformë rrënjësore të aftësive të kundër-spiunazhit të Gjermanisë.
Konstantin von Notz, një deputet i lartë i të Gjelbërve, tha se duhet të përcaktohet shpejt nëse “skandali i përgjimeve është një ngjarje e njëhershme ose një problem strukturor”.
Ai tha se incidenti mund të kërkojë një “ndryshim radikal” në vlerësimin e rreziqeve me të cilat përballen komunikimet e ndjeshme të qeverisë.
Roderich Kieseëetter, zëdhënës i politikës së mbrojtjes për Kristian Demokratët e opozitës, i tha transmetuesit publik ARD se incidenti “ka të ngjarë [të jetë] vetëm maja e ajsbergut”.
Biseda e përgjuar ishte pjesë e përgatitjeve për një konferencë për ministrin e mbrojtjes Boris Pistorius. Ai trajtoi nëse raketat e lundrimit Taurus do të ishin në gjendje të godasin urën Kerç që lidh kontinentin rus me Krimenë, e cila u aneksua ilegalisht nga Rusia në 2014.
Oficerët diskutuan gjithashtu nëse Ukraina mund të sulmonte urën pa pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë dhe sa raketa mund të dërgoheshin në Ukrainë. Oficerët dëgjohen të thonë se nuk kishte dritë jeshile nga udhëheqja politike e Gjermanisë për të lejuar dërgimin e raktetave në Ukrainë.
Marie-Agnes Strack-Zimmermann, kreu i komitetit të mbrojtjes së Bundestagut, i tha agjencisë së lajmeve RND se rusët po përpiqeshin të trembnin Scholz-in që të mos lejonte dërgimin e raketave Taurus, raporton Financial Times.
Sipas saj, spiunazhi ishte, “një element në kutinë e mjeteve të luftës hibride të Rusisë”.
“Nuk ishte për t’u habitur”, shtoi ajo, që bisedat po përgjoheshin. “Ishte vetëm një çështje kohe kur do të bëhej publike,” tha ajo.
/rtsh.al/