E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama – demokratëve: Votoni PS, vetëm ne e bëjmë realitet Shqipërinë në BE

TIRANË, 24 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se në 11 maj shqiptarët kanë mundësinë ose të votojnë PS-në për Shqipërinë në Bashkimin Europian, ose të të votojnë për “kënetën”, në gropë.

Në një takim elektoral në Gramsh, Rama u bëri thirrje veçanërisht demokratëve që në 11 maj të votojnë PS-në, pasi, siç tha ai, Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund ta anëtarësojë Shqipërinë tani në Bashkimin Europian.

Rama theksoi se nëse Shqipëri bëhet pjesë e BE-së do të rritet mbështetja financiare në çdo fushë nga fondet e BE-së dhe vetëm për fshatin vendi do të përfitojë 300 milionë euro në vit.

“Një fermeri demokrat nga fshati Sulovë i them se bashkë me votën tënde ne do të mund  të marrim 300 milionë euro në vit me hyrjen në BE dhe është shumë më e mundur që edhe Sulova të marrë pjesën e vet nga kjo mbështetje”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri ftoi prindërit demokratë që në 11 maj të votojnë për pasaportën europiane për fëmijët e tyre.

“Prindërve demokratë që vënë në diskutim a t’i japin fëmijëve pasaportën europiane, apo apo të hedhin në “kënetë” votën e tyre, u them se vetëm PS me mua në krye e bën realitet tani Europën dhe bën të mundur që dera mos të mbyllet. Askush tjetër! Ashtu sikundër shumë socialistë në vitin 1992 votuan PD-në për të mbyllur kapakun e një historie dhe hapur një kapak të ri, sepse nuk kishte zgjedhje tjetër, ashtu tani demokratët duhet të hyjnë bashkë me ne, të mbyllin hundën dhe të votojnë PS-në. Duke mbyllur hundën nuk do t’u duket parfum era e “kënetës””, tha Rama.

Rama theksoi se në 11 maj shqiptarët duhet të zgjedhin ose të votojnë për interesin kombëtar, ose për hallin e një njeriu të vetëm mbi 80-vjeçar që vazhdon të kërkojë të bëjë çorap Shqipërinë.

“Në 11 maj ose do të bëhemi bashkë për të mirën e përbashkët të gjithë fëmijëve tanë socialistë e demokratë, ose të ndarë për interesin e një familjeje të vetme”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›