E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: BE gati të na bëjë pjesë të sajën, por dera nuk rri e hapur gjithmonë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot takim elektoral me socialistë në Gramsh.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “ka diçka të rëndësishme në 11 maj që ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe për të cilën ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që sa më shumë njerëz, përtej kufijve të partive të na bashkohen”.

“Ajo që e bën 11 majin një ditë historike, nuk është fakti që populli do shkojë në zgjedhje, si në çdo 4 vjet. Çdo 4 vjet është shumë e rëndësishme që populli merr fjalën dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha palët vihen në gjykim dhe populli vendos se kush do të qeverisë, kush do të bëjë opozitë. Këto janë shumë të rëndësishme”, tha Rama.

Por ama, shtoi ai, “në 11 maj populli shqiptar do të duhet të marrë një vendim historik për diçka që nuk lidhet me 4 vitet e ardhshme, as me 4 vitet e shkuara. Për diçka që lidhet me historinë tonë dhe me të ardhmen. Për diçka që lidhet me të parët tanë dhe kur them të parët tanë nuk kam parasysh prindërit apo gjyshërit tanë, por kam parasysh Gjergj Kastriotin, kam parasysh rilindësit tanë, kam parasysh Ismail Qemalin, kam parasysh të gjithë ata që luftuan për një Shqipëri pjesë e Evropës, jo e Azisë, për një Shqipëri pjesë e Perëndimit, jo e Lindjes, për një Shqipëri ku shqiptarët që lindin dhe rriten mu në zemër të këtij kontinenti të gëzojnë të njëjtin status, mos jenë popull që trajtohet si një popull i dorës së dytë, të mos trajtohen si të huaj, kur ndërkohë ne jemi ndër popujt më të vjetër këtu në Evropë”.

Kjo, nënvizoi Rama, “na ka ardhur ne. Fati e desh që të përputhen bashkë, dëshira jonë dhe këmbëngulja jonë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe dëshira dhe gatishmëria e BE-së për të na e hapur derën në këtë moment”.

“Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që dera e BE-së nuk rri e hapur. Dera e BE-së është dera e një shtëpie të madhe dhe të pasur me 27 anëtarë brenda. Ata duhet të merren vesh që të tërë. Nuk ka aty ‘shumica vendos’. Aty duhet të gjithë të jenë dakord, të 27, që kur dikush troket dera të hapet. Mund të rrish duke trokitur me vite, me dekada dera s’të hapet, sepse nuk mjafton që ti të duash, që ti të jesh gati për t’u bërë pjesë e asaj familje, po duhet që ajo familje të jetë gati për të të bërë ty pjesë të sajën”, tha Rama.

Ne sot, theksoi kreu i qeverisë, “jemi gati të bëhemi pjesë e asaj familjeje, por lajmi i mirë është që ajo familje është gati të na bëjë pjesë të sajën”.

Kjo, shtoi Rama, “nuk ka qenë e vërtetë deri dje. Ata gjithmonë e thoshin një ditë ju do vini, një ditë ju do jeni me ne, një ditë ne do jemi me bashkë, por ama për të gjithë ata ndër ju këtu që e ndjekin jetën politike është shumë e qartë që për disa vite me radhë, ndërkohë që qeveria e tyre, Komisioni Evropian që ne na kontrollon, na monitoron, na analizon dhe na gjykon, iu thoshte: “Është gati Shqipëria, hapini negociatat”, ata nuk ishin gati, sepse dilte njëri atje që thoshte “jo”, dilte tjetri thoshte “jo po prit”, dhe nuk ishin gati”.

“Sot ne kemi në tryezë planin e dakordësuar me ta, tre vjet. Ka filluar vitin e shkuar në 2024-ën dhe ka afatin në 2027-n. Tre vjet për të mbyllur negociatat dhe për të bërë marrëveshjen e anëtarësimit”, tha Rama.

Por ama, shtoi ai, “duhet të gjithë ta dinë se negociatat me ta nuk janë një fjalë goje. Negociatat me ta janë mbi 250 mijë faqe me rregulla, me masa, me kritere që duhen plotësuar, me standarde që duhen përmbushur, me vendime që duhen marrë, me ligje që duhen bërë. Ne ulemi diskutojmë, biem dakord, duhet të vijmë këtu që t’i marrim ato vendime, t’i kalojmë ato ligje, t’i përmbushim ato standarde. Që ata të na marrin dhe të na thonë ju jeni njësoj si ne duhet të binden që ne shtetin e kemi njësoj si ata”.

Kjo theksoi Rama, “kërkon çdo minutë, jo çdo orë, por çdo minutë deri në fund të 2027-s që një mijë njerëz që ne kemi angazhuar për këto negociata që shtrihen nga ekonomia dhe drejtësia deri tek ujërat, tek zogjtë, tek peshqit, mjedisi e kështu me radhë të mos ndalen asnjë minutë”.

“Që ne të realizojmë këtë ne duhet të bëjmë diçka që s’e ka bërë askush. Trevjetëshi që na është dhënë është një afat dhe një hyrje e shpejtë që s’i është dhënë askujt, vetëm Shqipëria nga të gjithë vendet ish-komuniste ka shansin ta përmbyllë këtë histori në tre vjet. Që do të thotë që nuk duhet të humbim asnjë minutë”, tha Rama.

Për ata që thonë se pse Shqipëria nuk ka hyrë për tre mandate në BE, Rama ka një përgjigje.

“Fakti që ne nuk kemi hyrë akoma në BE pas tre mandatesh do të ishte përgjegjësia jonë. Atëherë, si shpjegohet që Mali i Zi i ka filluar negociatat përpara sesa ne të vinim në qeveri dhe nuk ka hyrë akoma në BE, në 2012-n, kur ne ishim në buzë të humnerës nën sundimin e dytë të Bufit të Kënetës? Po Serbia që i ka hapur negociatat në 2024-n, kur ne akoma nuk e kishim marrë statusin e kandidatit, pse nuk ka hyrë në BE? Dhe Mali i Zi, dhe Serbia ishin shumë përpara nesh, ndërkohë që ne kur filluam të shkojmë atje na shikonin tamam si ai njeriu që thotë: “Fol, mbaro tani, se s’kam kohë”, as nuk na respektonte, as nuk na besonte njeri, sepse reputacioni i Shqipërisë ishte përtokë dhe ju e dini shumë mirë këtë. Po Maqedonia, që ndryshoi dhe emrin e u bë Maqedoni e Veriut? Kandidate që në 2005-n pse nuk është futur në BE?”, tha Rama.

“Si shpjegohet që sot ne që e nisëm nga fundi jemi tek pragu i derës bashkë me Malin e Zi? Sepse ne kemi bërë ekzaktësisht të gjitha ato që ata që dalin çdo natë nëpër pasqyrat e moçaleve mediatike përpiqen të thonë se nuk ekzistojnë”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›