Rama: 15 milionë euro për barnat e Onkologjikut, rrisim cilësinë e shërbimit në shëndetësi

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka vendosur 15 milionë euro vetëm për barnat onkologjike, ndërsa siguroi se do të vijojë financimet për shëndetësinë.
Në një bashkëbisedim me pensionistë, Rama theksoi se transformimi i madh që është bërë me infrastrukturën në shëndetësi, duhet të shoqërohet me rritje të cilësisë së shërbimit dhe të cilësisë së barnave.
“Por qysh se ndodhi ajo kriza e shëmtuar e Onkologjikut, ne jemi fokusuar aty dhe, me aktin normativ, kemi vendosur dje 15 milionë euro vetëm për barnat onkologjike, të cilat do të fuqizojnë kapacitetet e sistemit për të vazhduar të bëjnë më të mirën për kurimin e pacientëve dhe, po ashtu, një sërë financimesh të tjera për shëndetësinë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Kryeministri informoi se do të adresohet në mënyrë shumë agresive për tre vitet e ardhshme, domosdoshmëria e rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në sistemin tonë shëndetësor.
“Po përgatitemi për të bërë një hop tjetër, gjithmonë në bazë të mandatit që kemi marrë, besimit që na është dhënë dhe të gjitha atyre zotimeve që e kanë krijuar këtë besim dhe do të duhet të adresojmë në mënyrë shumë agresive, për tre vitet e ardhshme, domosdoshmërinë e rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në sistemin tonë shëndetësor. Dhe këtë do ta bëjmë me partneritete. Kjo nuk bëhet vetëm; do ta bëjmë me partneritete, sepse këtu po krijohet një konfuzion i madh”, u shpreh ai.
/m.m/j.p/r.e/