Rama: 21 janari, krim shtetëror. Duhet të përgjigjen ata që urdhëruan hapjen e zjarrit mbi njerëz të pafajshëm

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e Gjykatës së Strasburgut në lidhje me 21 janarin. Nga Vlora, ku u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e PS-së, Rama tha se 21 janari është krim shtetëror dhe se duhet të përgjigjen para drejtësisë personat që urdhëruan hapjen e zjarrit mbi protestuesit.
“Nëse sot ka një arsye për t’u ndjerë disi të lehtësuar në raport me 21 janarin, për të cilin ne kemi patur qysh në krye të herës barrën që t’i hapim rrugë drejtësisë, është që sot, edhe pse do të kërkojë ende kohë që ta shikojmë drejtësinë të bërë për 21 janarin, e shikojmë që rruga e drejtësisë është hapur dhe sot është shumë e qartë që drejtësia për 21 janarin vërtetë mund të vonojë edhe ca, por nuk ka për të munguar. Ajo që ndodhi në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut është diçka historike dhe kush e ka lexuar ka parë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka formuluar ekzaktësisht atë që unë dhe të tjerë kemi thënë qysh në krye të herës: 21 janari është krim shtetëror dhe për krimin shtetëror duhet të përgjigjen jo vetëm ata që tërhoqën këmbëzën e pushkës, pro ata që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtetë mbi njerëz të pafajshëm në mes të bulevardit”, tha Rama.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh më 14 nëntor, se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.
Sipas Gjykatës, janë konstatuar dy shkelje të Nenit 2, e drejta për jetën dhe për hetim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, një prej protestuesve që mbeti i vrarë.
/rtsh.al/