Rama: 50 milionë euro çdo vit vetëm për indeksimin e pagave

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i është përgjigjur komentit të një qytetareje në platformat sociale, pas dëgjesës së zhvilluar ditën e djeshme me qytetarët e Njësisë Nr.2 në Tiranë.
Komentuesja shkruan “keni pasur rritje rrogash vetëm për veten tuaj, prandaj shtyje dhe tre vjet”. Rama e etiketoi këtë koment, si fjalët e bretkosave që përsërisin zhurmat e njëra-tjetrës kur janë në kënetë.
Kryeministri Rama, nënvizoi gjatë dëgjesës me banorët e njësisë Nr.3 në kryeqytet, se ka pasur rritje rrogash si asnjëherë më parë dhe në buxhetin e vitit 2026, pagat do të vazhdojnë të rriten.
“Dua t’ju them që ashtu sikundër për pensionistët, rritja e çdo viti do të jetë veç dhe indeksimi do të jetë veç. Nuk është se do rrisim nga një anë dhe do heqim indeksimin nga ana tjetër. Indeksimi do jetë plus. Për çdo vit vetëm për indeksimin do jenë në buxhet mesatarisht 50 milionë euro”, pohoi ai.
“Edhe për pagat do ketë një rritje të re për shkak të pagës minimale. Mësuesit do të kenë tre mijë lekë të reja më shumë në muaj. Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë ne do të fusim edhe llogaritjen e vjetërsisë në punë që do të thotë që nga janari i vitit të ardhshëm për mjekët e përgjithshëm që paga sot është 131 mijë lekë të reja do shkojë 143 mijë lekë të reja. Është një rritje jo e vogël”, pohoi Rama.
Kreu i Qeverisë, u shpreh se edhe për mjekët në spitale do të ketë rritje page, nga 174 mijë lekë që është sot do të shkojë 186 mijë lekë të reja.
Për infermierët do të ketë rritje, sipas Kryeministrit, nga 87 mijë lekë që është sot do të shkojë 92 mijë e 500 lekë të reja.
“Për punonjësit e policisë do të futet vjetërsia në punë. Për gradat më të ulëta kjo përkthehet në 50 euro plus në muaj”, tha Rama.
/e.i/j.p/