E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Negociata për njohjen e pensioneve me Greqinë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se po punohet fort për njohjen e pensioneve me Greqinë, ndërsa e cilësoi këtë një negociatë jo të lehtë.

Në një bashkëbisedim me banorët e njësisë nr. 3 në Tiranë, Rama u ndal te vështirësitë që ka skema e pensioneve në vend, nisur edhe nga fakti se forca kryesore e punës që në vitin ’90 u spostua drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera dhe qëndroi aty për shumë vite duke mos paguar asnjë kontribut në Shqipëri.

Ndaj, kryeministri theksoi se në gjithë këto vite është bërë një proces i gjatë dhe i vështirë i njohjes së pensioneve të shqiptarëve jashtë.

“Kemi arritur të realizojmë edhe një nga dy pjesët më të rënda të këtij procesi nga pikëpamja financiare, njohjen e pensioneve me Italinë. Shqiptarët që kanë punuar në Itali dhe kanë paguar sigurimet shoqërore do ta marrin pensionin si atje për ato vite që kanë derdhur kontribute”, tha Rama.

Rama theksoi se aktualisht mungon pjesa me Greqinë dhe kjo është negociatë jo e lehtë, për të cilën po punohet fort.

Në këtë drejtim, kryeministri solli në vëmendje përfitimet që do të ketë vendi me anëtarësimin në Bashkimin Europian, që garanton njohjen automatike të pensioneve.

“Nëse hyjmë në BE edhe kjo pjesë është e zgjidhur sepse pastaj direkt shqiptarët bëhen qytetarë të BE-së në të gjithë aspektet që lidhen me institucionet, sigurimet, shërbimin shëndetësor dhe me radhë”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri kujtoi se kontributet e sigurimeve shoqërore në Shqipëri kanë qenë disproporcionale dhe mundësia e fondit të pensioneve nuk është që të mbulojë drejtpërdrejt.

Por, nga ana tjetër, Rama kujtoi se po synohet të rritet kapaciteti i fondit të pensioneve duke rritur kontributet, por pa rritur akoma vlerën e kontributit.

“Ne kemi kontributet më të ulëta për person të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. I kemi më të ulëta në gjithë rajonin dhe kjo ka qenë e vetëdijshme dhe e qëllimshme që të mos i ngarkojmë më shumë njerëzit por të forcojmë ekonomitë e tyre”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›