Ndihet fajtor për fëmijët, pas divorcit vret gruan dhe veten
Ndarjen me të shoqen nuk ka mundur ta durojë më një 57-vjeçar nga Berati, i cili ka marrë vendimin për të ekzekutuar bashkëshorten dhe veten si fajtorë për dhimbjen që po u shkaktonin fëmijëve. Ky mendohet se është motivi që ka shtyrë Koço Shytin të vijë nga Berati dhe të takojë gruan e tij, duke e vrarë rreth dy vjet, pasi ishin ndarë. Deri dje, kur ka ndodhur krimi i rëndë brenda familjes, as gruaja e tij, Arjana Shyti, por as dy fëmijëve, djali në universitet dhe vajza në gjimnaz, nuk u kishte shkuar në mendje se babai i tyre do të kryente një veprim të tillë.
Nuk kishte folur me asnjeri për këtë veprim të tmerrshëm, të cilin e kishte menduar deri në detaje si do ta realizonte, edhe pse sa herë dëshironte, vizitonte fëmijët dhe ish-gruan e tij, 49-vjeçare. Fqinjët, që i njihnin burrë e grua, thonë se ishin njerëz të mirë dhe të urtë dhe i vetmi problem që ata kishin dëgjuar kishte të bënte me depresionin e tij për shkak të xhelozisë. Rreth dy vite më parë, çifti ishte ndarë, pavarësisht se ende vazhdonin të ruanin marrëdhënie jo të këqija për hir të dy fëmijëve të tyre, tashmë në moshë të rritur. Pas ndarjes, fqinjët tregojnë se gruaja, Arjana Shyti erdhi në një banesë me qira, duke kërkuar ndihmën e kushërinjve të saj për një punë, me qëllim që t’u jepte shkollim fëmijëve e të kishte me çfarë të ushqehej.
Kështu, ajo mori një shtëpi me qira në një pallat të ri pranë kompleksit “Kristal”. Në katin e parë ishte një qendër interneti, ku punësoi djalin për mirëmbajtje, por u punësua edhe vetë si pastruese. Gjithashtu, ajo mori përsipër edhe një qendër tjetër interneti, aty ku ndodhi tragjedia e rëndë, për ta pastruar. Ndërsa në pjesën tjetër të ditës punonte si shitëse në një furrë buke. Të gjithë që e kanë njohur, flasin mirë për të, duke u shprehur se ishte grua punëtore dhe pa sjellë probleme. Në të dy qendrat e internetit, që sipas të dhënave i përkasin në pronësi kushërinjve të saj, ajo kishte pak kohë që punonte.
Gjatë kohës që qëndronte në banesën me qira dhe që mundohej të gjente paratë për të jetuar, rrallëherë e takonte edhe i shoqi, i cili punonte si shofer transporti, e që më parë, sipas policisë ka qenë ushtarak. Gjatë kohës që takoheshin bashkë, edhe me fëmijët, mes tyre nuk ka pasur ndonjë konflikt, ndërkohë që Koço Shyti kishte edhe një të afërme të tij në pallat, me të cilën bisedonte për t’u interesuar për ish-gruan dhe dy fëmijët.
Por, e gjithë kjo është ndërprerë ditën e djeshme, kur ai ka ekzekutuar të shoqen me gjashtë plumba në trup dhe më pas ka vrarë veten me një plumb në kokë. Pa lajmëruar njeri, ai ka marrë një çantë të zezë, brenda të cilës ka futur një automatik “Kallashnikov”, bashkë me një krehër të mbushur me 30 fishekë. Që në mëngjes herët ka kërkuar për ish-gruan e tij, të cilën e ka gjetur te njëra prej qendrës së internetit, ku ajo punonte si pastruese, pranë kompleksit “Dinamo”, në afërsi të “Komunës së Parisit”. Aty, gruaja ka qenë e vetme dhe po pastronte vendin, ku të rinjtë rrinin deri vonë, duke luajtur lojëra të ndryshme në internet.
Sapo ai ka hyrë brenda, ka ulur çantën mbi dysheme dhe mes tyre ka nisur një debat me zë të lartë, siç tregojnë fqinjët, por asnjë nuk ka mundur ta kuptojë tamam se për çfarë debatohej. Në atë kohë, gruaja mendohet se ka dashur të largohet, ndërkohë që Koço Shyti ka nxjerrë nga çanta një automatik, duke qëlluar nga mbrapa ish-gruan e tij. Ajo ka ndërruar jetë në vend, ndërkohë që vetëm pak çaste më pas, sa nuk u ka mjaftuar fqinjëve të shohin se çfarë po ndodhte, ai i ka drejtuar armën vetes, duke i dhënë fund jetës.
#