E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “8 dhjetori i 2009-s, një ditë historike për Partinë Socialiste”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur dje në mesditë deputetët e Grupit Parlamentar, por edhe kryetarë të PS-së nga degë të ndryshme të vendit, në një ceremoni për anëtarësimin e PSSH në Partinë e Socialistëve Europianë. Rama, gjatë fjalës së tij, e quajti një moment historik për PS-në dhe për të gjithë anëtarët e saj socialistë e progresistë, pranimin e forcës politike që drejton në gjirin e PSE-së në Kongresin e Pragës. Edi Rama theksoi se ky është një ogur i mirë që erdhi pikërisht në një datë të shënuar 19 vjet pas daljes nga bunkeri komunist. “Kemi mbërritur një stacion me rëndësi strategjike për të nesërmen, jemi integruar në një realitet të ri europian dhe na takon të festojmë, me të gjithë ata që e sollën PS-në deri këtu, në një festë brezash që do ta bëjmë në ditët e para të vitit të ardhshëm, me praninë e gëzueshme simbolike këtu në Tiranë të miqve të vjetër e partnerëve të rinj të Partisë Socialiste Europiane”, - theksoi Rama. Sipas tij, një histori që, si të gjitha historitë, ka momentet e veta të bukura dhe ato të trishta, por, pa asnjë dyshim, historia e PS-së është një pamje me debate, sfida e drama të një familjeje politike që asnjëherë, askush tjetër s’qe në gjendje t’ia ofronte publikut në këto 19 vjet, paçka se ndodhi jo një herë që demokracia e brendshme të kthehej në një telenovelë të zakonshme. Rama e ka komentuar si ogurmirë futjen e PS-së në Partinë Socialiste Europiane më 8 dhjetor, 19 vjet pas 8 dhjetorit që lëvizi derën e bunkerit ku Shqipëria qëndroi e ndryrë dhe krejt e izoluar nga Europa e bota për thuajse gjysmë shekulli. “S’ka dyshim s’e askush prej nesh atëherë, në ditët e ndryshimit të madh të epokave, s’mundej të parafytyronte dot shumë nga gjërat që ndodhin sot, kaq shumë vjet më vonë, kur me sytë e atëhershëm na dukej se pas njëzet vjetësh do të kishim mbërritur në hënë përderisa arritëm të dalim nga bunkeri i komunizmit”, - ka deklaruar Rama.
Kontrasti
Kreu i PS-së ka vënë theksin në fjalën e tij se askush nuk mund ta parafytyronte atëherë se Shqipëria do të vijonte të ishte kaq e varfër e me të papunë, kaq të prapambetur në arsim e shëndetësi, kaq të pambrojtur nga barbaria kulturore e mjedisore dhe, mbi të gjitha, ndoshta, që qytetarët e Shqipërisë do të ishin sot kaq pa shtet, kaq pa drejtësi, kaq pa siguri në këtë vend ku ligjet i shkelin të parët ata që i bëjnë e ku kush nuk ka lidhje me pushtetin, s’ka gjasë të zgjidhë hall me shtetin. Sipas tij, askush nuk mund ta parafytyronte atëherë se më 8 dhjetor të vitit 2009, pikërisht partia e dalë prej lëvizjes që shembi bunkerin komunist, do t’i mblidhte njerëzit në sheshin “Skënderbej”, me hir e me pahir, për të festuar nën tingujt e gjuhës së urrejtjes ndaj opozitës. “Por le të mos shpenzojmë sot më shumë kohë e fjalë për çka nuk ka shkuar në drejtimin e ëndrrës europiane, e cila më 8 dhjetor 1990 nxori në rrugë studentët e ndryshimit epokal dhe le të mjaftohemi në këtë moment duke shtuar në bilancin pozitiv të partisë sonë 8 dhjetorin 2009, ditën që na bashkoi ne, PS-në, me Europën e socialistëve e të progresistëve. PS-ja është angazhuar aktualisht me të gjitha forcat dhe ku, me patjetër, do të arrijë qëllimin e saj për t’i dhënë Shqipërisë, më në fund, mundësinë të zhvillojë zgjedhje vërtet të lira e vërtet të ndershme të standardeve europiane, për një Shqipëria ku demokracia funksionon, ku shteti i së drejtës është një realitet për të gjithë dhe ku ekonomia zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme”, - ka theksuar Rama. Ai ka falënderuar të gjithë deputetët e PS-së, që po luajnë me kurajë e largpamësi një rol të pazëvendësueshëm në këtë betejë jetike për demokracinë e shtetin e së drejtës.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›