E Diel, 1 Nëntor 2026

Imeraj: “Berisha ka vetëm një zgjidhje me kosto të ulët për të: të hapë kutitë”



Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos dalë e të japë justifikime të kota për shpenzimet stratosferike të antimitingut të 8 dhjetorit, pasi tashmë të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se ky njeri harxhoi plot 4 milionë euro, ose më saktë 2 milion euro në orë, nga taksat e shqiptarëve, për të plotësuar tekat e tij individuale. Sipas saj, sot, ekonomia shqiptare po kalon një moment të vështirë krize, çmimet po rriten e arka e shtetit po zbrazet. “Por Sali Berisha, duke vendosur gjoba të paligjshme te biznesi i madh e i vogël, duke u rënë në qafë sipërmarrësve dhe tregtarëve shqiptarë, ndryshe nga çdo kryeministër i përgjegjshëm, harxhon në këto ditë krize plot 4 milionë euro vetëm për 2 orë”, - ka theksuar Imeraj. Sipas saj, Sali Berishës i ka mbetur vetëm një zgjidhje, e cila është me kosto të ulët për të dhe për të gjithë Shqipërinë: të hapë kutitë, ose përndryshe të largohet.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›