Rama: Aeroporti i Tiranës nga 2,2 milionë në 13,7 milionë pasagjerë, së shpejti porta digjitale për udhëtarët

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Rinas në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë direkt Tiranë–Toronto.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se të dhënat e Aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme.
Ai theksoi se aeroporti prej disa vitesh mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve dhe se mjafton krahasimi i shifrave nga viti 2016 deri në vitin 2025 për të kuptuar transformimin e madh që ka përjetuar.
“Në vitin 2016, kur filloi një fazë e re e punës së përbashkët për transformimin e mëtejshëm të aeroportit dhe modernizimin e aviacionit tonë civil, kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit dhe 2,2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vite më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13,7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë”, tha Rama.
Ai shtoi se këto shifra pritet të rriten më tej, duke kaluar 100 mijë fluturime në fund të kësaj dekade ose në fillim të dekadës së ardhshme.
Kryeministri nënvizoi se zhvillimi nuk lidhet vetëm me rritjen e numrit të pasagjerëve, por edhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
“Aeroporti i Tiranës është një ndër aeroportet e para në Europë që ka hedhur hapin drejt digjitalizimit të proceseve të check-in e check-out dhe kontrollit të pasagjerëve”, u shpreh ai.
Rama bëri të ditur se së shpejti do të hapet një kapitull i ri në transformimin digjital të aeroportit, me vendosjen e portave digjitale.
“Këto do të jenë porta ku qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike do të mund të kalojnë pa pasur nevojë për kontrollet tradicionale. Hyrja në aeroport do të jetë sikur të hynin në shtëpinë e tyre, ndërsa i gjithë informacioni do të përpunohet përmes sistemeve të inteligjencës artificiale që do të integrohen në këto porta”, deklaroi Kryeministri.
Rama theksoi se, projekti do të nisë fillimisht për pasagjerët shqiptarë dhe më pas do të shtrihet edhe për pasagjerët e huaj.
“Ky do të jetë një transformim i jashtëzakonshëm në shumë aspekte, veçanërisht në aspektin e sigurisë aeroportuale, i cili mbetet një nga elementët themelorë të aviacionit modern”, përfundoi Rama.
/gj.m/r.e/