Rama: Shqipëria hyn në një etapë të re, tërheqje e turistëve me fuqi më të lartë shpenzuese

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka përmbyllur një fazë të rëndësishme transformimi në sektorin e turizmit dhe tashmë duhet të hyjë në një etapë të re zhvillimi, të orientuar drejt rritjes së të ardhurave dhe tërheqjes së turistëve me fuqi më të lartë shpenzuese.
Në ceremoninë e inaugurimit të linjës së re Tiranë-Toronto në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rama theksoi se vendi ka arritur në një pikë ku duhet të synojë zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë, duke krijuar më shumë vlerë të shtuar për ekonominë dhe komunitetet lokale.
“Shqipëria ka përmbyllur një fazë të re transformimi në turizëm dhe duhet patjetër të hyjë në një fazë tjetër transformimi”, deklaroi Rama.
Rama tha se analizat dhe të dhënat krahasuese tregojnë se rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve masivë nuk sjell automatikisht një rritje proporcionale të të ardhurave.
Sipas Kryeministrit, ndërsa numri i vizitorëve masivë rritet me ritme të shpejta, të ardhurat kanë tendencë të rriten më ngadalë, ndërkohë që kostot për infrastrukturën dhe shërbimet publike shtohen ndjeshëm.
“Ama, nëse pastaj krahasojmë të ardhurat që rriten shumë ngadalë me shpenzimet që rriten shumë shpejt, si rezultat i rritjes së shpejtë të numrit të turistëve të masës, që do të thotë shumë më tepër presion mbi trafikun, shumë më tepër presion mbi sistemin tonë të pastrimit, shumë më tepër presion mbi përpunimin e mbetjeve, shumë më tepër presion mbi sistemet e ujit dhe të kanalizimeve dhe, patjetër, edhe nuk diskutohet, shumë më tepër presion tërësor mbi mjedisin, atëherë llogaria është shumë e thjeshtë”, tha ai.
“Dhe është një llogari e thjeshtë për të gjithë ata që bien pre e një të menduari në dukje të drejtë, por në thelb tërësisht të gabuar që: “Për çfarë na duhet ne turizmi i gamës së lartë? Për çfarë na duhet ne? Për çfarë na duhen ne resortet ku vijnë ata që janë të pasur, kur ne nuk kemi akses në to?”. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Na duhen sa më shumë nga ato, për të pasur sa më shumë të ardhura për ne, për të pasur sa më shumë të ardhura për komunitetin, për ekonominë, për biznesin dhe, natyrisht, pastaj për arkën e shtetit”, vijoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të mirëpresë një numër në rritje turistësh, por sipas Ramës ajo çka tanimë është e qartë, është mënyra si duhet qasur, që të ketë më tepër të ardhura në familjet shqiptare dhe në arkën e përbashkët të shtetit shqiptar.
/e.i/r.e/