Rama: Aeroporti i Vlorës me pistën më të madhe të rajonit, punë e mirëpaguar për 1000 persona

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Vlorë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “në Vlorën 2030 do të ketë mundësi jo vetëm për çdo vlonjat dhe vlonjate që jeton sot këtu, apo për këdo tjetër që jeton në këtë qark dhe as thjesht për këdo që jeton sot në Shqipëri, por për këdo që dëshiron të vijë dhe dëshiron të punojë në një vend ku ka punë, ku ka mundësi dhe ku ka jo vetëm punë dhe mundësi, por ka punë dhe mundësi për të jetuar me shumë dinjitet”.
Sepse shtoi Rama, “industria e turizmit, e cila tanimë ka dalë në sipërfaqe këtu në Vlorë në 5 vitet e ardhshme do të hedhë shtat në një mënyrë që sot është e vështirë akoma që të parafytyrohet”.
Në këto vite, nënvizoi Rama, “është bërë një punë shumë e madhe dhe ndërkohë ne kemi mbjellë disa fara shumë të shëndetshme që do të rriten dhe do të bëjnë hije”.
Nga an tjetër, shtoi Rama, “ne sot ulëm avionin e parë për të filluar testimet në pistën e aeroportit të Vlorës. Është pista më e madhe e rajonit, për një aeroport që nuk do të jetë një aeroport turistik, por do të jetë një aeroport ndërkombëtar. Që nuk do të ulë dhe ngre avionë vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit. Një aeroport që do të jetë shtëpia e kompanisë sonë të flamurit, Air Albanias, dhe që do të presë dhe përcjellë jo vetëm turistë, por edhe shqiptarë, jo vetëm nga Evropa, por edhe nga SHBA dhe jo vetëm”.
“Aeroporti do të bëjë testet dhe shumë shpejt në muajt e ardhshëm do të fillojë të presë dhe të ulë avionët e vegjël të biznesit për t’u bërë gati për të hapur dyert në vjeshtë për të gjithë fluturimet dhe pasagjerët”, tha Rama, por ndërkohë shtoi ai, “në aeroport do të punësohen mbi 1 mijë njerëz, mbi 1 mijë vajza dhe djem që jo thjesht do të gjejnë një punë, por që do të kenë një punë të mirëpaguar. Procesi ka filluar, njerëzit kanë filluar të punësohen, ndërkohë që ai do të jetë një aeroport që s’do të ketë vetëm avionë pasagjerësh që venë dhe vinë, por do të ketë dhe avionë të ngarkesave kargo që do të çojnë dhe do të sjellin mallra, që do të çojnë dhe sjellin pako të të gjitha përmasave, siç ndodh me kargot në të gjithë botën”.
Por, theksoi Rama, “nuk mjafton ende, sepse aeroporti i Vlorës do të ketë njëkohësisht përveç kargos edhe pjesën e tij të tretë, që do të jetë qendra për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve. Jo për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve që ulën dhe ngrihen nga këtu, por për riparimin dhe mirëmbajtën e avionëve të disa prej kompanive më të mëdha evropiane. Është një kontratë e bërë dhe do të fillojë të zbatohet hap pas hapi”.
Por, nënvizoi kryeministri, “përsëri nuk mbaron këtu, sepse aeroporti i Vlorës do të jetë edhe baza për Akademinë e Aviacionit Civil. Një akademi që do të ofrojë kuadrot e Aviacionit Civil jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë. Një akademi që do të ngrihet, jo thjesht me financimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, por edhe me financim dhe mbështetjen e Rrjetit Evropian të Aviacionit që ka zgjedhur Vlorën për të ngritur akademinë dhe për të formuar punonjësit e aviacionit civil evropian.
Por, shtoi Rama, “nuk mbaron këtu, se ndërkohë ne kemi firmosur një marrëveshje dhe po në Vlorë ne do të kemi dhe Akademinë e Forcave Ajrore të ushtrisë sonë, e cila do të përgatisë pilotët shqiptarë. Por do të jetë njëkohësisht një derë e hapur për të përgatitur edhe pilotët e rinj nga vendet e tjera të NATO-s apo nga vende të forcave të tjera aleate apo mike me Shqipërinë”.
/r.e/a.f/