Rama apel vlonjatëve: Votoni, Vlora mund të nxjerrë edhe 10 mandate për PS-në

TIRANË, 8 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u bëri sot thirrje vlonjatëve që në 11 maj të dalin nga shtëpia dhe të votojnë, ndërsa u shpreh se nëse kjo ndodh në Vlorë, PS mund të marrë edhe 10 mandate.
Në takimin përmbyllës elektoral për zgjedhjet e 11 majit në Vlorë, Rama sqaroi se përse te “Memorandumi II i Kuçit” ku bëri një projeksion mbi rezultatet e zgjedhjeve në çdo bashki, parashikoi për Vlorën vetëm 9 mandate.
“Një shok nga Tirana më shkruajti, pasi doli Memorandumi i Kuçit, “si ka mundësi që mandatin e 9 të Vlorës e vure me 50%? Si ka mundësi që Vlora të mos nxjerri mandate për ty dhe PS? Kjo nuk ka mundësi!”. I thashë se nuk i njeh vlonjatët, prandaj mendon se kjo punë është kaq e thjeshtë. Vlora mund të nxjerri edhe 10 mandate, problem është si të nxjerrësh Vlorën nga shtëpia”, u shpreh Rama.
Ndaj, kryeministri kërkoi që çdo vlonjat dhe çdo vlonjate në 11 maj duhet ta lërë për një moment të vërtetën e madhe që “i di vetë më mirë të tëra” dhe duhet të dalë nga shtëpia.
“Me gjithë këto transformime që i janë bërë Vlorës dhe tërë këtë nam që i ka dalë Vlorës anembanë Shqipërisë dhe me tërë atë xhelozi që është krijuar për Vlorën për shkakun tim, nuk është mirë që PS të ngjitet në 80 apo 80 e kusur mandate, dhe Vlora të mbetet prapë te 8 mandate”, tha Rama.
Ndaj Rama bëri thirrje që “në 11 maj, ditën e diel, të gjithë të bashkohen për të nxjerrë nga kutitë e votimit një det kuqezi”.
/r.e/a.f/