E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Alarm i trefishtë përballë shurdhërisë së qeverisë për situatën

Opozita po bën gjithçka mundet për tiu gjendur pranë banorëve të zonave të bllokuara nga bora dhe është e gatshme të votojë në Parlament planin e masave për përballimin e situatës.

Kryesocialisti Rama u shpreh gjatë mbledhjes së grupit të deputetëve të PS-së se krahas punës që deputetët socialist po bëjnë në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve në nevojë, opozita është e gatshme për bashkëpunim me autoritetet qendrore e vendore.

Rama tha se qeveria bëri veshin e shurdhër ndaj propozimit të socialistëve për parashikimin e një situate të tillë në buxhetin e shtetit.

Qeveria ishte e shurdhër nëntorin e shkuar kur ne kërkuam që në buxhetin e këtij viti të parashikoheshin emergjencat civile dhe sigurimi i energjisë elektrike. Ishte e shurdhër kur kërkuam që dëmshpërblimet për Shkodrën duheshin parashikuar në buxhet dhe madje duheshin parashikuar edhe fonde të tjera për këtë zonë, tha Rama.

Për kreun e selisë rozë, situata e krijuar është një alarm i trefishtë.

Jemi përballë një situate ku familjet po ziejnë kokrrën e fundit të misrit për të mbijetuar, kur mungesa e energjisë që ka filluar të ndihet në të gjithë Shqipërinë dhe në prag të përmbytjeve të radhës, pas shkrirjes së dëborës, tha Rama.

Situata nga bora, mblidhet grupi i deputetëve PS

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është fokusuar sot në situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të dendura të borës në zonat veriore të vendit. Deputetët socialistë kanë raportuar për gjendjen e zonave të tyre.

Në shumë raste, banorëve nuk u përgjigjet shtabi i emergjencës dhe ata kontaktojnë me ne. Ne jemi të gatshëm dhe do të bëjmë çmos për tu ardhur në ndihmë banorëve të qarkut Kukës, u shpreh Asllan Dogjani, deputeti socialist i zonës së Kukësit.

Komunat në Korçë pa energji elektrike, pa linja telefonike dhe në fund të rezervave ushqimore prej ditësh. Nga emergjencat civile nuk ka asnjë reagim në lidhje me shqetësimet e banorëve, tha deputeti i zonës së Korçës.

Në Kelmend rreth 15 ditë pa drita, deri në 3 metër borë. Vermoshi me 400 familje ka një muaj i gjysmë i bllokuar. Mungon baza ushqimore. Dje është rikthyer energjia elektrike. Asistenca e qeverisë është zero. Ligji i emergjencave civile bën përgjegjës Këshillin e Ministrave për parashikimin dhe parandalimin e këtyre situatave. Por kjo nuk është bërë. Helikopterët që po përdoren kanë një kosto në xhepat e taksapaguesve. Shërbimi për ta kushton, çka do të reflektohet në xhepat e qytetarëve, tha Paulin Sterkaj i qarkut të Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›