Rama: Anëtarësimi në BE ekzistencial për Shqipërinë, ky është momenti

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cilësoi sot anëtarësimin në Bashkimin Europian si ekzistencial për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar.
Në një takim me skuadrën e të rinjve të PS-së Tiranë, Rama tha se “Bashkimi Europian është projekti më i jashtëzakonshëm politik i njerëzimit”.
“Nuk diskutohet që është një projekt i papërfunduar dhe prandaj ka probleme dhe dobësi etj, por nuk ka një gjë tjetër dhe në një botë ku Europa nuk është më fuqia që ishte nga pikëpamja e peshës në ekonominë e përgjithshme botërore, Bashkimi Europian është përgjigjja”, shtoi ai.
Rama theksoi se “fuqizimi, zgjerimi, krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës është përgjigjja”.
“Do kërkojë kohën e vet, por ne duhet të jemi brenda dhe ky është momenti, kjo është më e bukura tani. Ne të gjitha këto i kemi folur, por asnjëherë ne nuk e kemi parë momentin siç shohim këtu këtë hapësirën dhe ky është 11 maji dhe për të gjithë të tjerat, për vazhdimësinë e të gjitha gjërave të tjera që unë nuk dua tani t’ju lodh kokën ju ‘kemi bërë këtë e kemi bërë atë e kemi bërë atë’ sepse në një këndvështrim kemi bërë jashtëzakonisht shumë e në një këndvështrim tjetër ka akoma shumë për të bërë, por kjo është përtej këtyre”, tha kryeministri.
Anëtarësimi në BE, sipas tij, “është përtej rrugëve, përtej hekurudhave, përtej infrastrukturave, përtej të gjithave, pemëve që mbjellim etj, është ekzistenciale për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar”.