Rama: Kalendar shumë ambicioz, gjithë negociatat me BE-në zgjasin vetëm 3 vjet

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se kalendari për të mbyllur negociatat për vendin tonë është shumë ambicioz, duke bërë që gjithë procesi të zgjasë 3 vjet.
Në një takim me skuadrën e të rinjve të PS-së Tiranë, Rama theksoi se kjo është e paparë dhe e pandodhur më parë për të tjerët.
“Faktikisht, ne na është hapur rruga kohët e fundit në mënyrë shumë të jashtëzakonshme për mënyrën sesi funksionon Bashkimi Europian. Na është dhënë një kalendar që është shumë ambicioz për t’i mbyllur negociatat brenda 2027, duke pasur parasysh që ne negociatat i nisëm konkretisht dhe u ulëm konkretisht vetëm vjet, madje në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, i bie që gjithë negociatat zgjasin vetëm 3 vjet. Kjo është e paparë dhe e pandodhur më parë për të tjerët. Kroacia ka marrë shumë më tepër kohë etj., etj. Mali i Zi që është në të njëjtin pozicion me ne ka vite që negocion”, tha Rama.
Sipas tij, “janë volume të tëra pune që nuk mundet dot të bëhen nëse nuk shfrytëzohet çdo ditë”.
Kryeministri e cilësoi pozicionin aktual të Shqipërisë në procesin e integrimit europian si një mundësi të artë që nuk duhet humbur.
“Kjo përputhje nuk ka qenë asnjëherë e tillë që nga rënia e komunizimit kur ata ishin më të hapur dhe ne ishim tërësisht të papërgatitur. Kur ne filluam të jemi më të përgatitur ata ishin më pak të hapur. Faktikisht procesi është marrë peng nga mospërputhja e këtyre të dyjave. Sot të dyja këto përputhen dhe mundësia është e artë për ne, por në të njëjtën kohë është e kushtëzuar nga shfrytëzimi maksimal i kohës. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhi nesër. Ka më shumë gjasë që gjërat të kthehen siç ishin, pra ata të jenë më pak të interesuar, nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë hapësirë kohore relativisht të shkurtër prej pak vitesh”, shtoi Rama.
Po ashtu, Kryeministri e konsideroi integrimin në BE edhe si mjaft të rëndësishëm për sigurinë.
“Nuk e kam menduar, me thënë të drejtë, që do të vinte momenti që do duhej të thosha dhe këtë sepse askush nuk e ka menduar, por sot në çfarë po shohim dhe me çfarë po ndodh, Bashkimi Europian është i rëndësishëm edhe për ekzistencën, për sigurinë. Kështu siç po shkojnë gjërat dhe gjithë përpjekja që po bën sot Bashkimi Europian dhe që unë jam i bindur më herët se vonë do jetë përpjekje e gjithë kontinentit tonë, flas për të gjitha vendet demokratike që do të mblidhen në Tiranë në 16 maj, është një qasje komplet e re ndaj sigurisë, ndaj mbrojtjes dhe ndaj sensit të përbashkët të sigurisë”, tha Rama. /j.p/