Berisha: Do t’i rikthehemi Shqipërisë prodhuese, “Made in Albania” krenari kombëtare

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me strukturat PD, dega Durrës.
Duke folur për programin e PD-së, Berisha tha se “shtyllë kryesore është “Made in Albania”, ndërsa shtoi se “do t’i rikthehemi Shqipërisë prodhuese”.
Sipas tij “Made in Albania” është Shqipëria e punësimit, është Shqipëria e begatimit, është Shqipëria e shndërrimit të të mirave që ka vendi, në të mira për qytetarët. Është Shqipëria që tërheq investitorët e huaj”.
“Mos harroni se ka pasur raste në vitet 2005-2013 që Shqipëria renditej e 13-18 në botë për klimën e biznesit. Kështu që do të nxisim prodhimin me të gjitha mundësitë”, shtoi Berisha.
“Nuk ka vend më të pasur. Ka çdo lloj minerali pothuajse. Ka ujëra më shumë se çdo vend i Ballkanit. Ka brigjet më fantastike. Pra “Made in Albania” do të jetë krenaria kombëtare. Do bëjmë historinë me “Made in Albania” në mënyrë që shqiptarët të jetojnë të mëkëmbur, pa dhimbje me prodhimet e tyre dhe të ecin dhe në botë me këto marka”, u shpreh Berisha.
Berisha nënvizoi se “Shqipëria ka potencialet më të mëdha në rajon dhe Europë për prodhimin e energjisë”. /j.p/