Veliaj: Në Apel pres drejtësi, prokurori Dado në konflikt interesi

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), deklaroi sot në një intervistë televizive se në gjykatën e Apelit të Posaçëm pret drejtësi.
”Pres drejtësi, t’i kthehem punës në Tiranë; të bëjmë shkollat në Astir, të sjellim drekën për fëmijët në të gjitha shkollat e Tiranës, të bëjmë gati qytetin për Giro d’Italia dhe Komunitetin Politik Europian, e më e rëndësishmja, të bashkohem me familjen time’’, tha Veliaj.
I pyetur në lidhje me personin anonim Nesti Angoni, i cili e ka paditur në SPAK, Veliaj tha se mund të jetë edhe një sajesë e atyre që sipas tij, hesapet personale i lajnë me vulën e logon e shtetit.
‘Jam zgjuar çdo mëngjes këto vite që të bëj mirë; të bëj çdo ditë një shkollë, një kopsht, një çerdhe, një park, një rrugë, një shesh, një qendër sociale. S’mbaj mend të kem pushuar një fundjavë, i kam rënë në qafë familjes sime, si e si të ndihmoja mijëra njerëz, sa kam pasur mundësi’’, tha Veliaj.
Sa i takon prokurorit të çështjes, Veliaj tha Ols Dado është në konflikt interesi pasi ka marrë leje ndërtimi nga ai. Veliaj tha se vetë Dado e ka pranuar në seancë se ka pasur komunikime me të për këtë çështje
”Olsi Dado është në konflikt interesi 24 orë në 24. Ka pasur komunikime. E pranoi edhe vetë në seancë, siç pranoi edhe “se ta tregoj unë ty, e di ku vete”, tha Veliaj.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. /j.p/