E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Arvizu: Parlamenti të funksionoje, ligjet mos mbesin në letër

TIRANE-Ne prag te nisjes se sesionit te ri parlamentar, Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu zhvilloi sot nje takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas takimit pa pranine e mediave, secili prej tyre u shpreh vecmas per temat e diskutimit te sotem.

Takimi që nisi me dyer të mbyllura rreth orës 11:30 minuta dhe përfundoi pak para orës 13:00 u zhvillua në selinë rozë.

Në një dalje të shkurtër për shtyp, Arvizu bëri të ditur për mediat se takimi e mbushi me optimizëm. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu e ka cilësuar si mjaft të dobishëm deklaratat e opozitës se do të marrë pjesë në Kuvendit.

“Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është forma më e mirë për të plotësuar reformat e rëndësishme për vendin. Rama u shpreh i hapur për dialog, më tregoi axhendën politike dhe atë për parlament. Folëm për gjëra të përgjithshme, por situata politike, këto janë gjëra që nuk janë në dorën time. Kam besim në hapat që do të ndërmerren”, u shpreh Arvizu.

Ai gjithashtu deklaroi se së bashku me kreun e selisë rozë ka diskutuar edhe për shumë çështje të rëndësishme në Shqipëri ku një prej tyre është edhe axhenda europiane. 

PS për takimin
Rreth 1 orë e gjysëm pasi kishte përfunduar takimi ne seline roze, PS zbardhi cfarë u bisedua mes Ramës dhe Arvizu. PS shprehet se takimi u realizua pas një ftese që kreu i PS i bëri ambasadorit amerikan.
Nga njoftimi për shtyp i PS mësohet se me ftesë të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, ambasadori i SHBA Aleksandër A. Arvizu dhe shefja e re e Sektorit Politik dhe Ekonomik të ambasadës amerikane Jenifer H. Moore bënë sot paradite një vizitë në selinë rozë.
Rama dhe Arvizu në këtë takim, sipas PS vunë theksin tek rëndësia e funksionimit të parlamentit.

“Bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë që parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër”, citon njoftimi për shtyp i PS.

Nga të të njëjtat të dhëna mësohet se Kryetari Edi Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj Kombëtare, si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik.

Ambasadori Arvizu shkëmbeu me kryetarin e opozitës një sërë pikëpamjesh përmes një dialogu miqësor, ku nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë ecuria e procesit demokratik në funksion të integrimit të vendit dhe mbështetjen e qeverisë së tij për ecurinë e këtij procesi

Kryetari Edi Rama e falenderoi edhe njëherë ambasadorin e SHBA për kontributin publik në ndihmë të procesit zgjedhor të 8 majit dhe i uroi punë të mbarë në Shqipëri shefes së Sektorit Politik dhe Ekonomik të ambasadës amerikane.

Takimet
Dy ditë më parë ambasadori Arvizu u kërkoi partive politike të mos bëhen pengesë për reformat. Pas një takimi me kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, diplomati amerikan kërkoi nga politika gjetjen e rrugës së bashkëpunimit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërsa dje pasdite vonë, Kryetari i Partisë Socialiste, pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ka kryer një takim me deputetët e partisë më të madhe në opozitë.

Burime nga ky takim thanë se në të kanë marrë pjesë kryesisht ata deputetë të cilët drejtojnë ose bashkëdrejtojnë komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Mësohet se nuk ka pasur asnjë lloj vendimmarrjeje në mbledhjen e djeshme.
Në takim nuk ka marrë pjesë asnjë prej emrave që po sulmojnë me kritika Edi Ramën kohët e fundit, si Kastriot Islami, Arben Malaj apo Andis Harasani.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Takon Ramën, Arvizu: PS e hapur për dialog

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›