E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takon Ramën, Arvizu: PS e hapur për dialog

TIRANE-Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu zhvilloi sot nje takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama ku ka diskutuar situatën politike në vend.
Takimi që nisi me dyer të mbyllura rreth orës 11:30 minuta dhe përfundoi pak para orës 13:00 u zhvillua në selinë rozë.

Në një dalje të shkurtër për shtyp, Arvizu bëri të ditur për mediat se takimi e mbushi me optimizëm. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu e ka cilësuat si mjaft të dobishëm deklaratat e opozitës se do të marrë pjesë në Kuvendit.

“Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është forma më e mirë për të plotësuar reformat e rëndësishme për vendin. Rama u shpreh i hapur për dialog, më tregoi axhendën politike dhe atë për parlament. Folëm për gjëra të përgjithshme, por situata politike, këto janë gjëra që nuk janë në dorën time. Kam besim në hapat që do të ndërmerren”, u shpreh Arvizu.

Ai gjithashtu deklaroi se së bashku me kreun e selisë rozë ka diskutuar edhe për shumë çështje të rëndësishme në Shqipëri ku një prej tyre është edhe axhenda europiane.

Dy ditë më parë ambasadori Arvizu u kërkoi partive politike të mos bëhen pengesë për reformat. Pas një takimi me kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, diplomati amerikan kërkoi nga politika gjetjen e rrugës së bashkëpunimit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërsa dje pasdite vonë, Kryetari i Partisë Socialiste, pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ka kryer një takim me deputetët e partisë më të madhe në opozitë.

Burime nga ky takim thanë se në të kanë marrë pjesë kryesisht ata deputetë të cilët drejtojnë ose bashkëdrejtojnë komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Mësohet se nuk ka pasur asnjë lloj vendimmarrjeje në mbledhjen e djeshme.
Në takim nuk ka marrë pjesë asnjë prej emrave që po sulmojnë me kritika Edi Ramën kohët e fundit, si Kastriot Islami, Arben Malaj apo Andis Harasani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›