Rama: Banesa me kosto të ulët për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në eventin e prezantimit të Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, Rilindja 2.0, renditi disa programe që synojnë të mbështesin familjet në nevojë, grupet vulnerabël dhe qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore.
Një nga programet në të cilin u ndal kreu i qeverisë lidhet me banesat me kosto të ulët, ku shteti do të subvencionojë kreditë për familjet përfituese.
“Vijmë tek banesa me kosto të ulët, që është një tjetër program i cili lidhet me subvencionin nga ana e shtetit të kredisë, duke pasur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët dhe për këtë ka një kategorizim të mirëpërcaktuar me kritere të mirëpërcaktuara”, tha Rama.
Rama tha se një tjetër fokus do të jetë përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël.
“Pastaj vijmë tek përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, si dhe një projekt, një program i veçantë infrastrukture në zonat informale dhe për të adaptuar banesa të caktuara si banesa sociale”, tha Rama.
Sipas tij “programi ka një zhvillim më të ri me zhvillimin e zonave të strehimit dhe këtu nuk flasim vetëm për banesa sociale në kuptimin vetëm për ata më në nevojë, por flasim për të gjithë shtresat e shoqërisë”.
”Nuk duam të ndërtojmë një bllok banimi vetëm për njerëz të varfër, por duam që të kemi blloqe banimi dinjitoz për të gjitha shtresat”, tha Rama.
Rama theksoi se cilësia do të jetë një element kyç në këto zona, pasi familjet me të ardhura më të ulëta do të marrin mbështetje më të madhe nga shteti, ndërsa familjet me të ardhura më të larta do të kenë mundësi të blejnë banesa në të njëjtat zona.
“Dhe ndërkohë që ata më të varfrit kanë mbështetjen më të madhe për të banuar aty, ata më të kamurit do të blejnë aty dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme cilësia. Zonat e reja të strehimit ne do të sugjerojmë që të jenë zona cilësore në çdo aspekt dhe kjo është plotësisht e mundur”, tha Rama.
Rama njoftoi se programi i ri do të nisë së shpejti në Tiranë, ndërsa janë duke u shqyrtuar edhe zona të tjera në bashki të ndryshme të vendit. Ai u bëri thirrje kryetarëve të bashkive të paraqesin propozimet e tyre.
“Dhe për këtë do të shërbejë edhe reforma strukturore ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti dhe Bashkitë do të funksionojnë si një sistem i ri dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të marrë një fuqi të re. Shumë shpejt ne do të fillojmë në Tiranë me këtë program të ri dhe kemi në shqyrtim një sërë zonash të tjera në bashki të tjera ku natyrisht janë të ftuar të gjithë kryetarët e bashkive që të bëjnë propozimet e tyre”, tha Rama.
Një tjetër program i prezantuar është ai i banesave të përkohshme.
Rama tha se “do të na duhet të ndërtojmë edhe banesat e përkohshme në cilin kuptim, në kuptimin e të pasurit në dispozicion të infrastrukturës të gatshme për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore”.
“Fatkeqësitë natyrore janë tanimë bashkëudhëtare të jetës së këtij planeti. Përmbytjet zjarret edhe pse tek zjarret ka një komponent jo të vogël të djallëzisë dhe të marrëzisë njerëzore, por pavarësisht kësaj është një fatkeqësi natyrore për dikë të cilit i bëhet e pabanueshme shtëpia nga zjarri”, tha ai.
Rama theksoi se krahas forcimit të kapaciteteve logjistike dhe njerëzore për përballimin e fatkeqësive, nevojitet edhe një sistem i përhershëm që garanton strehim të përkohshëm për familjet e prekura.
“Dhe ndërkohë që sigurisht do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet tona logjistike dhe njerëzore për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore në kohë reale apo edhe për të parandaluar ne do na duhet që të fillojmë hap pas hapi të kemi një sistem mikpritje për një periudhë të përkohshme të njerëzve të prekur nga fatkeqësitë natyrore”, tha Rama.
Programi i gjashtë i përmendur nga kreu i qeverisë lidhej me banesat e veçanta.
“Mund t’i quajmë banesa të veçanta të cilat janë të përshtatura për familje me persona me aftësi të kufizuara apo për individët me aftësi të kufizuara”, tha Rama.
/m.q/a.f/