Rama: Ndërtime të reja dhe objekte të konfiskuara do të përdoren për banesat sociale me qira

TIRANË, 10 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se programi i banesave sociale me qira parashikon edhe ndërtimet e reja, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, apo përshtatjen e objekteve shtetërore ose të objekteve të konfiskuara.
Në prezantimin e Programit të ri Kombëtar të Strehimit, Rama u shpreh se programi i banesave sociale me qira është një skemë e mirënjohur e përdorur në vite por të cilën ne do ta qasim në një mënyrë të re.
“Faktikisht dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program, i cili do të bëhet më kompleks dhe jo thjesht dhe vetëm që qytetarët të presin të ndërtohet edhe pastaj të kenë shansin që të marrin një banesë, në një radhë të gjatë”, shtoi Rama.
Duke folur për përdorimin e objekteve të konfiskuara në funksion të këtij programi, Rama informoi se janë konfiskuar jo pak objekte.
“Do të konfiskojmë çdo objekt që do të shkelë rregullat e paracaktuara në ligj për lejet e ndërtimit”, u shpreh Rama.
Në kuadër të këtij programi, Rama informoi se do të përdoret edhe bonusi i qirasë dhe po ashtu edhe partneriteti Publik-Privat.
“Pra, do të përdorim të gjithë instrumentet për të garantuar një ofertë shumë më të gjerë nga ana e shtetit për ata që duhet dhe që do të mund të marrin banesë sociale”, shtoi ai.
/a.f/