Rama: Berisha i vetmi që përshëndeti rënien e Gadafit

Kreu i Opozitës Edi Rama, nëpërmjet një editoriali ka shprehur kenaqësinë e shembjes së Gadafit, duke e cilësuar në të njejtën kohë si tirani më qesharak dhe gjakatar. Në lidhje me këtë çështje, kreu i PS, me nota ironie ka deklaruar se kryeministri Berisha ka qënë i vetmi i cili ka përshëndetur rënien e tij.
“Duke ndjekur me kënaqësi të jashtëzakonshme shembjen e një tjetër fashizmi oriental në botën arabe, përmes bredhjes stacion më stacion për të parë orë pas ore afrimin e fundit të tiranit sa gjakatar aq qesharak të Libisë, nuk pashë as kancelaren gjermane, as kryeministrin britanik, as atë francez, as atë italian apo ndonjë kryeministër tjetër në Europë, përveç Saliut, që të dilte para popullit të vet e të përshëndeste si Saliu rënien e regjimit të Tripolit.
Pashë vetëm presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s që, siç kanë dalë vijimësisht para mbarë botës në ndjekje të zhvillimeve dramatike në Libi, dolën e vazhduan të flasin nga lartësia e misionit të tyre për fatet e atij vendi në mbështetje të revoltës çlirimtare të popullit libian, duke rikërkuar largimin e Kadafit. Por as njëri as tjetri nuk shkuan deri tek shpalosja e gëzimit të fitores ende të paarritur përfundimisht deri në këto momente, siç shkoi Saliu me ngut përpara të gjithëve, duke folur para shqiptarëve si të ishte në rolin e prijësit të të gjithë koalicionit botëror kundër kolonelit Muhamar Al Kadafi, mikut të tij të vjetër, dhe si të kishte përballë kamerat e mbarë planetit.
S`ka dyshim që Shqipëria s`është Libia, as Saliu s`është Kadafi. Po që Shqipëria ngjan më shumë me Libinë sesa me Britaninë e Madhe a me Gjermaninë dhe që Saliu ngjan më shumë me kolonelin e Tripolit sesa me cilindo nga homologët e tij europianë, as kjo s`ka asnjë dyshim. Këtë e dinë të gjithë dhe Saliu e di që të gjithë e dinë. Prandaj u ngut ta përshëndesë para të gjithëve rënien ende të pandodhur plotësisht të atij regjimi gjakatar. Triumfator dhe i trembur njëkohësisht, si me gjumë të prishur sa nga beteja fitimtare për Tripolin sa nga ca ngjashmëri të padëshiruara. S`ka faj, për një ngjashmëri kësisoj të gjen belaja”.