Raporti i OSBE/ODIHR-it,Topi: Partitë të angazhohen për rekomandimet

Kryetari i Shtetit Bamir Topi ka vlerësuar me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit. Nga qyteti i Himarës ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë Gjergji Goro, kreu i shtetit ka shtuar se nga ai raport dalin shumë gjëra të cilat në radhë të parë janë detyrim për partitë politike.
“Kemi vlerësuar me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it dhe ajo shkon në vijueshmëri të të gjitha apeleve që janë dhënë vazhdimisht për politikën shqiptare. Unë nuk dëshiroj të merrem më me komente, sepse këto komente kanë qenë shumë të qarta në raport, por do të dëshiroja t’i kujtoja politikës shqiptare, në radhë të parë politikës parlamentare që sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës” ka theksuar Topi.
I pyetur në lidhje me ndryshimet kushtetuse, presidenti Topi ka deklaruar se ai nuk do të futet për asnjë moment në çështjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese.
“Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij e ka të drejtën nëse kjo del në planet e partive politike për ta diskutuar për t`u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por edhe në retrospektivë, edhe kur partitë politike kanë vendosur që të bëjnë ndryshimet kushtetuese, ju siguroj që nuk e kanë pyetur Presidentin. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen Presidenti të mos mbajë qëndrimin e tij institucional, konstitucional. Pra, është në të drejtën e partive politike për ta mbajtur të gjallë debatin, ose jo, është një çështje e tyre. Por, ajo që unë do jepja si një apel edhe një herë shumë të fortë është nevoja, domosdoshmëria për të bashkëpunuar. Nuk mund të shkojmë në Evropë pa dhënë në mënyrë të qartë idenë që shqiptarët, klasa politike, partitë politike dinë të bashkëpunojnë dhe dinë të prodhojnë jo vetëm ligje, por edhe marrëveshje, por edhe detyrime që vijnë nga raporti i Komisionit Evropian” ka shtuar Topi.