E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha lëshoi gënjeshtrën e radhës

23/12/2009  Kreu socialist mbledh vendorët për biznesin e vogël
Gjatë takimit u themelua Shoqata për Autonominë Vendore
Drejtuesit e pushtetit lokal përfaqësues të Partisë Socialiste, të pakënaqur nga qëndrimi i qeverisë “Berisha” për biznesin e vogël. Për këtë arsye krerët lokalë socialistë vijojnë kundërvënien ndaj ekzekutivit, duke kërkuar plotësimin e kushteve të bëra me dije në apelin publik drejtuar kryeministrit Berisha. Kështu, në takimin e zhvilluar dje me këta drejtues kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i mëshoi me forcë faktit se asnjë lehtësim nuk është bërë nga vendimi i Këshillit të Ministrave për biznesin e vogël. Po gjatë këtij takimi kryetarët e komunave dhe bashkive socialiste kanë firmosur aktin e themelimit të Shoqatës së Autonomisë Vendore. Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha pati njoftuar se nuk do të ndryshojë pragun e të ardhurave për biznesin e vogël. Por dje vendorët deklaruan se beteja për autonominë vendore, e sanksionuar në Kushtetutë, do të vazhdojë. “Berisha gënjeu për biznesin e vogël, pasi nuk pati asnjë lehtësim nga vendimi i Berishës, por pati vetëm një zmbrapsje të tij, kjo në kushtet kur mbetet në fuqi TVSH-ja, rritet çmimi i energjisë elektrike dhe nuk ka verifikim të xhiros për shkak të mungesës së kasave fiskale”. Kryebashkiaku i Tiranës u bëri të ditur vendorëve se ata janë aktorët që vendosin tarifat. “Është e papranueshme që qeveria të përcaktojë tarifat për biznesin e vogël. Tatim-fitimi për biznesin e vogël caktohet nga vendori”, - vlerësoi Rama, duke akuzuar qeverinë për pengim të procesit të decentralizimit. Ndërkohë, duke vijuar me gjuhën paralajmëruese për kryeministrin, Rama deklaroi se “tërheqja e kryeministrit Berisha do të vijojë në janar të 2010-s, kur bizneset do të rrezikohen për shkak të hyrjes në fuqi të disa prej vendimeve që kryetarët socialistë kanë kërkuar të shfuqizohen”. Sipas tij, nëse nuk shfuqizohet amendamenti mbi taksat vendore, shoqata e sapokrijuar do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu në emër të drejtuesve vendorë Rama i bëri apel kryeministrit që “të dorëzojë në bashkitë dhe komunat të gjitha të ardhurat nga legalizimet. Nuk mund tu mohohen kontributet që qytetaret japin për ti parë të kthyera në investime”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›