Grabitet dhe dhunohet me armë kambisti beratas
23/12/2009 Dy hajdutët i morën 1 milion lekë, e qëlluan me tytë dhe e mbyllën në bagazh
BERAT- Një kambist nga qyteti i Beratit ka rënë pre e grabitjes me dhunë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa do të merrte mjetin e tij në garazh për të shkuar për në punë. Besim Gurri, 40 vjeç, u dhunua dje në garazhin, ndërsa pas grabitjes është futur nga bagazh i mjetit të tij tip Benz me targa BR 0381 B ku dhe u gjet nga kalimtarët e rastit. Ngjarja ndodhi në periferi të lagjes “ 30 Vjetori” ku dhe Gurri banon prej disa vitesh. Shtetasi 40-vjeçar, baba i një vajze mësohet se rreth orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm kish zbritur nga banesa dhe po hapte garazhin për të nxjerrë mjetin dhe shkuar për në punë. Kambisti i licencuar që punon në qytezën e Urës Vajgurore mësohet se është përballur me dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët duket se i kishin zënë pritë dhe sapo kanë parë që ka hapur garazhin i janë afruar për ta grabitur. Nën forcën e armës maskat mësohet se i kanë kërkuar 40-vjeçarit t’i dorëzonte të gjithë lekët që kishte me vete. I gjendur në këto kushte kambisti pa bërë asnjë lloj rezistence mësohet se u ka dhënë çantën që mbante me vete ku ndodheshin një milion lekë. Por, duket se shuma e lekëve që kambisti kishte me vete nuk ka kënaqur dy grabitësit, të cilët kanë nisur të dhunojë 40-vjeçarin. Fillimisht ai mësohet se është qëlluar me tytën e një pistolete pas koke dhe më pas dhe me mjete të forta. Pasi kanë parë se nuk mund të përfitonin asgjë tjetër veç shumës së lekëve që kambisti mbante në çantën e tij të punës, dy personat e armatosur e kanë futur atë në bagazhin e mjetit të tij dhe më pas duke përfituar dhe nga errësira, pasi kanë mbyllur qepenin e garazhit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Rreth orës 06:45 minuta ka qenë një grua, e cila duke kaluar afër garazhit jo plotësisht të mbyllur që ka dëgjuar thirrjet për ndihmë. Në ndihmë të Gurrit kanë ardhur më pas dhe familjarët e tij, të cilët kanë mundur të nxjerrin atë nga bagazhi i mjetit dhe menjëherë e kanë transportuar drejt spitalit të qytetit të Beratit.