E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndërton pa leje në Korçë

INFRASTRUKTURA/ Një investim i qeverisë në qytetin juglindor nuk ka marrë lejen përkatëse pranë bashkisë

Firma e cila është marrë me ndërtimin gjithashtu nuk i ka paguar vendorëve taksat përkatëse sipas ligjit


KORÇË- Një firmë nga kryeqyteti "injoron" bashkinë juglindore duke mos marrë leje ndërtimi për një investim infrastrukturor në Korçë. Megjithëse investimi është drejt fundit të tij, firma nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për leje ndërtimi pranë KRT-së së bashkisë së Korçës, ndërsa nuk ka paguar disa miliona lekë për taksën e ndikimit infrasktrukturor që e paguan dhe qytetari më i thjeshtë që bën një ndërhyrje sado të vogël ndërtimore.


Investimi afro 1 milion euro i unazës në afërsi të segmentit Korçë-Kolonjë ka shkaktuar një përplasje mes bashkisë së qytetit dhe institucionit të prefektit, fill pas një inspektimi që i ka bërë ky i fundit ndërtimit të kësaj unaze të re me fonde të qeverisë shqiptare.


Teksa prefekti Andrea Mano ka falënderuar qeverinë shqiptare për vëmendjen që ka treguar në mënyrë të vazhdueshme ndaj Korçës, ka reaguar vetë institucioni i bashkisë duke e cilësuar këtë investim si tejet të nevojshëm për qytetin, por nga ana tjetër i mbushur me shkelje të shumta ligjore dhe një investim krejt i paligjshëm pasi nuk ka marrë asnjë leje ndërtimi.


Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Korçës, Benila Tërova, në një komunikim të sajin me mediat, ka bërë të ditur se shumica e djathtë në Këshillin Bashkiak të Korçës është duke penguar politikisht një investim të madh si ai i qendrës së qytetit për të cilin ka një leje ndërtimi, ndërsa një investim me vlerë gati të njëjtë me qendrën nuk i është nënshtruar asnjë ligji duke mos u paraqitur pranë KRT-së për lejen e ndërtimit.


Sipas Tërovës, firma nga kryeqyteti që ka fituar të drejtën e ndërtimit të kësaj unaze ka shpërfilluar bashkinë dhe organet vendimmarrëse të saj. Ajo bën të ditur se firma përfituese nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për të marrë lejen e ndërtimit, procedurë që ndiqet për çdo lloj investimi sado i vogël të jetë ai.


Por nuk ka mjaftuar kjo, pasi firma në fjalë i është shmangur detyrimit që duhet të derdhë në bashki për taksën e mbikëqyrjes në infrastrukturë e cila kap vlerën e 2 për qind të shumës që investohet dhe që janë disa milionë lekë që firma në fjalë i ka shmangur duke shkelur ligjin, ashtu sikurse ka vepruar edhe për lejen e ndërtimit.


Në këto kushte, pritet që bashkia të veprojë për të penalizuar firmën në këtë ndërtim të palegalizuar të saj. Por ndërsa bashkia reagon për këtë ndërtim pa leje, prefekti i Korçës, Andrea Mano, përgëzon firmën për punën e saj, ndonëse projekti duhet të kishte përfunduar disa javë më parë. Madje prefekti Mano e quan këtë investim në këtë pjesë të unazës si shumë të domosdoshëm që do t'i japë më tepër zhvillim dhe komoditet lëvizjes së qytetarëve të juglindjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›