Delegatët e Kongresit, PS shpërndan udhëzimin
Ecuria jo e mirë e procesit të zgjedhjes së delegatëve për në Kongres ka detyruar Partinë Socialiste që të detajojë edhe më udhëzimin e miratuar nga Asambleja Kombëtare gjatë muajit korrik për këtë çështje. Deputetët socialistë të deleguar nëpër rrethe për të ndjekur këtë proces janë pajisur dje me një material sqarues për organizimin e këtij procesi në bazë. Bëhet fjalë për një material që është hartuar nga sekretari organizativ dhe në përbërje të tij janë vendosur të gjitha procedurat dhe hapat që do të ndiqen deri në votimin e delegatëve sipas parimit “një anëtar një votë”. Kështu, strukturat e partisë nëpër bazë dhe deputetët respektivë janë udhëzuar me anë të këtij dokumenti që përzgjedhja e listave të kandidatëve për delegatë në kongres nga asambletë respektive, të përfundojë brenda datës 12 tetor. Sekretari organizativ sqaron në këtë dokument se për çdo numër të caktuar delegatësh lista e emrave që do të përfshihen në fletën e votimit duhet të jetë minimalja sa dyfishi i numrit të delegatëve që i takon një komune apo një bashkie. Lidhur me këtë, Partia Socialiste ka vlerësuar që në çdo 100 anëtarë partie të ketë një delegatë si përfaqësues në Kongres. Ndërkohë që pas procesit të seleksionimit të kandidaturave nga asambletë, emrat e përzgjedhur do të përfshihen në fletën e votimit dhe në datën 22 tetor do të votohen nga e gjithë anëtarësia sipas parimit “një anëtar një votë”. Ndërkohë që paralelisht me këtë proces ka nisur puna edhe për thithjen e propozimeve për kryetar partie në rang komune dhe bashkie. Lidhur me këtë PS u ka udhëzuar që duke ndjekur kriterin e përjashtimit nga e drejta e rikandidimit e atyre personave që kanë rezultate negative, të përzgjedhë mundësisht një kandidaturë konsensuale, e cila do t’i paraqitet kryesisë së PS-së në Tiranë. Ndërkohë që në rastet kur gjetja e një kandidature konsensuale që në bazë është e pamundur për shkak të pretendimeve të ndryshme, atëhere është udhëzuar që kryesisë t’i vijnë një numër i reduktuar kandidaturash për të përzgjedhur dy prej tyre dhe për t’ia paraqitur për votim më pas asamblesë përkatëse.