E Diel, 1 Nëntor 2026

Patos, punëtorët hyjnë me forcë në mbledhjen e këshillit bashkiak

Punëtorët e Bashkisë së Patosit pushtojnë sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak. Dje paradite, gjatë zhvillimit të kësaj mbledhjeje, punonjësit e ndërmarrjeve vartëse të bashkisë, Gjelbërimit dhe Pastrimit, të cilët kanë më shumë se dy muaj pa u paguar, kanë hyrë në sall dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e mbledhjes.
Punonjësit e papaguar kanë hyrë në mbledhje në çastin kur këshilltarët e djathtë ishin duke kërkuar mocionin e votëbesimit për kryetarin Maksi Goga, i cili përfaqëson PS-në në këtë këshill.
Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se këshilltarët e Bashkisë së Patosit dhe punonjësit e Ndërmarrjes së gjelbërimit dhe të pastrimit të qytetit, gati sa nuk janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin. "Punonjësit u janë afruar tavolinave të këshilltarëve, por pa kaluar në dhunë fizike. Kjo është një skenë e përsëritur rëndom muajt e fundit në të gjitha bashkitë e vendit që drejtohen nga socialistët. Gjithçka e ka zanafillën te koalicioni më i fundit PD-LSI", shprehet për gazetën "Shqip", Eqerem Veliu, vëzhgues në mbledhjen e këshillit bashkiak.
Indinjata e punonjësve të ndërmarrjeve vartëse të bashkisë ka ardhur pas mosmiratimit të fondit të pagave të tyre nga këshilli. Miratimi i fondit të pagave është diskutuar disa herë në këshill, por gjithmonë ka hasur me kundërshtinë e mazhorancës së re PD-LSI. Punonjësit protestues, tepër të indinjuar kanë akuzuar se këshilltarët e djathtë dhe të LSI-së kanë miratuar një fond për ekskursion dhe nuk kanë dashur të miratojnë pagat e tyre.
Ndërhyrja e policisë bashkiake dhe asaj të rendit ka bërë që tonet të uleshin, por mbledhja e këshillit të shtyhej për një kohë të mëvonshme. Ndërkohë që 80 punonjësit kanë vijuar protestën e tyre.
Këshilli Bashkiak i Patosit dominohet nga përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së, të cilët po bllokojnë vendimet e propozuara nga administrata e bashkisë, pasi kryetari i kësaj bashkie, Bardhi Meli, u largua nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe iu bashkua Partisë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›