E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Berishës: 10 ditë kohë për kutitë, ndryshe zgjedhje të parakohshme

Rama paralajmëroi dje përshkallëzim të protestave deri në plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit.


"Në qoftë se pushteti na mohon të drejtën të shohim, ne do t'i mohojmë pushtetit të drejtën që të na qeverisë", - tha Rama


TIRANË - Në përfundim të protestës tre ditore, kryetari i opozitës, Edi Rama, i bëri thirrje dje Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, se ka 10 ditë afat për të pranuar kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, në të kundërt protestat do të përshkallëzohen deri në zgjedhje të parakohshme.


Duke folur para protestuesve të shumtë të vendosur për tri ditë me radhë në sheshin para Kryeministrisë, Rama tha se beteja e nisur nga opozita nuk do të ndalet edhe në ditët e ardhshme, derisa kreu i mazhorancës të pranojë kërkesën e opozitës. Sipas tij, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha duhet të zgjedhë përfundimisht midis dy alternativave; ose të hapë kutitë ose të pranojë rënien e qeverisë.


Rama theksoi se kjo është alternativa që i ofrohet Berishës dhe rrugë të mesme nuk ka. "Beteja jonë për hapjen e kutive të 28 Qershorit, për transparencën e plotë të zgjedhjeve, për legjitimin e Parlamentit shqiptar do të vazhdojë më tej, në një betejë të rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë, e me çdo mjet të protestës, përballë një qeverie, që brenda 10 ditësh duhet të zgjedhë përfundimisht: Ose të hapë kutitë, ose të pranojë rënien e saj.


Rrugë të mesme mes lirisë dhe mungesës së lirisë nuk ka, rrugë të mesme mes të drejtës dhe padrejtësisë nuk ka, zgjedhje të lira ose jo të lira, edhe të drejta edhe të padrejta, edhe me standarde apo dhe pa standarde nuk ka", - tha Rama. Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se nëse Kryeministri Sali Berisha nuk i hap kutitë e votimit, atëherë opozita do të ndalet vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhje të parakohshme.


"Në qoftë se brenda 10 ditësh, Sali Berisha nuk hap kutitë e votimit për të mbajtur me pahir qeverinë e tij dhe të mbajtur peng duke shkatërruar shtetin dhe ekonominë e shqiptarëve për interesat e familjes së tij, ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar si një familje të vetme vlerash demokratike dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme", - nënvizoi Rama.


Duke qëndruar në kërkesën themelore të opozitës për hapjen e kutive të votimit, Rama vuri në dukje se kjo nuk është një betejë për pushtet, por po kërkohet e drejta demokratike, për të parë votën e 28 Qershorit, që prodhoi pushtetin. Ai shtoi se nëse mazhoranca ua mohon këtë të drejtë, atëherë opozita do t'i mohojë asaj të drejtën për të qeverisur vendin.


"Ne nuk po kërkojmë pushtetin, por të drejtën tonë demokratike e ligjore për të parë votën nga ka dalë pushteti. Në qoftë se pushteti na mohon të drejtën të shohim, ne do t'i mohojmë pushtetit të drejtën që të na qeverisë", - shtoi Rama.


Kreu i opozitës theksoi se protesta treditore e opozitës përballë Kryeministrisë nuk kishte për qëllim pushtimin fizik të këtij institucioni, por për të t'i treguar Kryeministrit se ka vetëm dy rrugë; ose të hapë kutitë ose të ikë bashkë me kutitë e votimit.


"Ne do t'u rezistojmë dhunuesve të institucioneve, duke mos u lëshuar më asnjë milimetër rrugë në ushtrimin abuziv të pushtetit të tyre ilegjitim. Ne nuk qëndruam këtu për ta pushtuar fizikisht Kryeministrinë, por për t'i treguar njeriut që e ka pushtuar atë, se ka dy rrugë për të dalë nga zullumi ku është zhytur duke grabitur zgjedhjet: Ose të hapë kutitë ose të ikë bashkë me kutitë", - tha dje Rama para protestuesve.


Opozita mbylli dje protestën treditore që u zhvillua në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", më konkretisht në sheshin para Kryeministrisë, ku protestues të shumtë së bashku me liderët e partive opozitare dhe disa parti të djathta, të vendosur në çadrat e ngritura, i kërkuan Kryeministrit Berisha, hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Protesta u mbyll dje në mesditë, me fjalimin e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Pas fjalës së tij në podium, së bashku me deputetë dhe liderë të partive të majta e të djathta, Rama u shoqërua nga turma e protestuesve në një pjesë të bulevardit, "Dëshmorët e Kombit".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›