Berisha: Harroni kutitë! Vendimi i gjykatës nuk përmbyset
Berisha nuk heq dorë nga qëndrimi i tij. Ai përjashton çdo mundësi për hapjen e kutive: "Edhe lugati të ngrihet, të harrojnë se mund të bëhet kjo gjë"
TIRANË - Pavarësisht kërkesave dhe protestës treditore të opozitës, Kryeministri Sali Berisha vazhdon t'i mbetet të njëjtit qëndrim për të mos hapur kutitë e votimit, me argumentin se nuk mund të dalë mbi vendimet, që kanë dhënë gjykatat për zgjedhjet e Qershorit.
Pas homazheve në nderim të Prof. Selman Riza, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias lidhur me kërkesën kryesore të opozitës për hapjen e kutive të votimit.
"Të pretendosh se nuk ka vendosur gjykata në një kohë kur gjykata ka shqyrtuar në themel Beratin, Fierin etj., dhe ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim të pabazuar, atëherë do të thotë të ndërtosh strategjinë tënde mbi mashtrimin dhe kjo është përzgjedhja që unë nuk e këshilloj.
Pra, vendimi është i formës më të prerë, zgjedhjet kanë certifikimin më të plotë në historinë e këtij vendi", - tha dje Berisha. Pas refuzimit të kërkesës kryesore të opozitës, kryeministri përsëriti qëndrimin e zakonshëm se është i hapur për dialog me opozitën.
"Jam dhe mbetem i hapur për dialog dhe kam bërë një ofertë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërtetën dhe jo mashtrimin", - u shpreh ai. Sipas Berishës, ata që nuk pranojnë votën e shqiptarëve, problemin e kanë me veten e tyre, duke ritheksuar se vendimi i gjykatës nuk do të mund të përmbyset për të realizuar kërkesën e opozitës.
"Ata që nuk duan të pranojnë votën e shqiptarëve, kanë problem me veten e tyre, shqiptarët kanë votuar, zgjedhjet janë certifikuar, unë këto mund të theksoj dhe e theksova edhe dje (pardje). Në mënyrë kategorike, vendimi i gjykatës nuk do të mund të përmbyset as nga ata që unë thashë dje, as nga ai, po u ngrit lugati për t'i ndihmuar. Të harrojnë se mund të bëhet kjo gjë", - theksoi Berisha.
Për sa i përket protestës së opozitës të zhvilluar tre ditë me radhë para Kryeministrisë për hapjen e kutive të votimit, Berisha deklaroi se është në detyrimin e tij, si Kryeministër që të garantojë protestën e çdo qytetari, por nëse kjo protestë, sipas tij, vazhdon me muaj apo pa limit, atëherë kjo është jashtë kompetencave të tij.
"Është në detyrimin tim madhor, të garantoj protestën e cilitdo qytetar të këtij vendi dhe kjo është e qartë se ndodhi dhe do të ndodhë. Tani, vazhdon tre ditë, vazhdon tridhjetë ditë, vazhdon tre muaj, vazhdon në infinit, këto janë çështje jo të miat, janë vendimmarrje që dalin tërësisht jashtë kompetencave të mia", - u shpreh Berisha.
******************************
Kryetarja e Kuvendit flet për funksionimin e institucioneve, ndërkohë që opozita nuk është në Kuvend
Topalli: Shqipëria e kaloi provën e 28 Qershorit
TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje lidhur me protestën treditore të opozitës para Kryeministrisë për hapjen e kutive të votimit. Sipas Topallit, kushdo që përpiqet të cenojë ligjshmërinë e zgjedhjeve të 28 Qershorit, gabohet rëndë.
Kryetarja e Parlamentit ka përdorur një gjuhë të ashpër në deklaratën e saj, teksa ka theksuar se askush nuk mund të cenojë funksionimin e institucioneve. "Kushdo që mund të mendojë se mund të sulmojë apo të përpiqet, me instrumente të paligjshme të cenojë ligjshmërinë, natyrisht që gabohet rëndë...
Askush, as bijtë, as ministri i fundit i sigurimit të shtetit, as ministri i fundit i Ramiz Alisë, as emrat e Xhelilëve apo të Hamidve apo të tjerëve, nuk mund të guxojnë që të cenojnë ligjshmërinë dhe punën e Parlamentit, të Qeverisë dhe institucioneve", - tha dje Topalli.
Duke iu referuar vendimit të Bashkimit Evropian për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë, për statusin e vendit kandidat, Topalli tha se ky vendim përmbante një mesazh me domethënie politike që tregonte se Shqipëria e kaloi provën me zgjedhjet e 28 Qershorit dhe se institucionet janë legjitime. "Nuk ka datë më të rëndësishme sesa 16 nëntori, me domethënie politike, mesazh politik të qeverive të majta e të djathta të BE-së.
Vendimi që ato morën në 16 nëntor ishte se Shqipëria kaloi shkëlqyeshëm provën e saj të 28 Qershorit, se ato ishin zgjedhje të lira e të ndershme, se institucionet janë legjitime", - nënvizoi Topalli. Ajo shtoi se demokracia shqiptare është një demokraci funksionale dhe e pakthyeshme.
"Për ne s'ka gjë më të rëndësishme sesa të shohim demokracinë shqiptare, funksionale, është një demokraci e pakthyeshme ndaj dhe shteti ligjor është gjëja më e rëndësishme për ne, është gjëja më e shtrenjtë dhe askush nuk mund të guxojë që të prekë këtë sistem të demokracisë", - u shpreh Topalli.
Kryetarja e Kuvendit, ashtu si edhe Kryeministri Berisha, është shprehur edhe më parë, kundër kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit, duke e justifikuar atë me rrezikun për cenimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend.