Rama Berishës: Të zgjidhim krizën
02/02/2010 Kreu socialist ripërsërit qëndrimin për hapjen e kutive
“T’i japim fund një epoke të shëmtuar, që na mban të ndarë nga Evropa”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, lëshoi dje thirrjen e radhës për kundërshtarin e tij politik, për t’u ulur në tryezë me qëllim zgjidhjen e krizës politike. Kështu, gjatë një interviste për “Top Channel”, Rama i kërkoi Berishës që të ulen në bisedime, por duke pranuar fillimisht kërkesën e socialistëve për hapjen e kutive. Ndërkohë që nga ana tjetër, kreu socialist shigjetoi ashpër kundërshtarët e tij brenda partisë, duke i etiketuar si pjesë që tashmë janë jashtë kampit rozë.
Presidenti Topi është shprehur pro negociatave, ndërkohë që ju i qëndroni idesë për hapjen e kutive, dhe nga ana tjetër Kryeministri Berisha ka dhënë qëndrimin mbi këtë kërkesë. A janë këto negociata të dështuara që pa filluar ende?
Unë jam shprehur qartë pa asnjë ekuivok se jam i gatshëm të ulem në tryezën për dialog, që do të zgjidhë krizën politike. Ndërkohë që nga ana e palës tjetër nuk ka asnjë sinjal të qartë publik për dialogun, por vetëm fjalë, fjalë dhe fjalë, të cilat synojnë nga njëra anë të krijojnë idenë e gatishmërisë për dialog dhe nga ana tjetër fshehin pavendosmërinë e plotë, mungesën e qartë të vullnetit për të hapur një dialog dhe për të zgjidhur këtë krizë politike. Unë uroj që ta zgjidhim përmes forcës së arsyes, jam i bindur se populli i opozitës do ta zgjidhë me apo pa Sali Berishën.
Kryeministri kërkon respektimin e vendimit të gjykatës, ndërkohë që ju thoni se me kërkesën tuaj nuk e prekni këtë vendim. Si qëndron e vërteta?
Sali Berisha është njeriu i fundit në Shqipëri, që duhet të flasë për Kushtetutën, pasi e ka shkelur atë 30 herë dhe 16 shkelje të tij janë provuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe në fakt janë 16 atentate që janë anuluar nga kjo gjykatë. Nga ana tjetër, kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me vendimin e saj, të cilit i referohet në mënyrë spekulative dhe të gënjeshtërt Sali Berisha, por ka të bëjë me të drejtën kushtetuese dhe ligjore të Parlamentit për të hetuar çdo çështje të veçantë. Dhe kjo është një çështje e një rëndësie kombëtare, e një rëndësie strategjike, e një rëndësie atdhetare. Është çështja e lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, të cilën Parlamenti mund ta hetojë jo për të përmbysur pushtetin në tavolinën e hetimit, por për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral, për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që fusin duart në procesin elektoral, në rast se kjo vërtetohet nga hetimi. Nga ana tjetër, për të bërë ndryshimet e nevojshme legjislative, të cilat do të burojnë drejtpërdrejt nga një analizë e thellë, që do të vijë si pasojë e hetimit. T’i lëmë spekulimet, të ulemi për të zgjedhur krizën, t’i hapim kutitë, t’i japim fund një epokë të shëmtuar, që na mban të ndarë jo vetëm nga Evropa, por dhe nga rajoni ku jetojmë, ku askush nuk bën zgjedhje të tilla të turpshme, dhe të hapim bashkë një epokë të re, epokën e Shqipërisë evropiane, duke filluar nga procesi i lirë dhe i ndershëm zgjedhor, ku populli voton, numëron dhe gjykon se si ky proces është zhvilluar.
Mund të përfshijë kompromisi dhe Gjykatën e Lartë, që ka zëvendësim mandatesh, po kështu dhe Kushtetuesen, apo duhet të fokusohemi në këtë moment vetëm te zgjedhjet?
Në mënyrë që këto detyrime të zbatohen në funksion të interesit të vendit është e domosdoshme të çmontohet mekanizmi keqbërës i zgjedhjeve në Shqipëri dhe t’i hapet rrugë një procesi demokratik, i cili padyshim zhvillohet në Parlament, por duke konsideruar faktin e thjeshtë se Parlamenti vlen si një ballafaqim mes forcave të ndryshme përfaqësuese të popullit, për aq kohë sa vota e popullit, që i shikon shfaqjet demokratike të Parlamentit, nuk e ka humbur fuqinë e saj. Në momentin kur vota e humbet fuqinë e saj, për shkak të marrjes peng të procesit zgjedhor, popullit i takon të rimarrë fuqinë në dorë.
Ka disa deputetë të PS-së, që kanë kërkuar të bëjnë një aksion politik, duke iu kundërvënë linjës zyrtare?
Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi, aq më pak ndonjë opozitar, që të ketë nevojë për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet gjëkundi me PS-në dhe për fat të keq konvergon plotësisht me rrugën e Sali Berishës dhe të këtij pushteti, që ka grabitur zgjedhjet për të vazhduar të grabitë Shqipërinë.
Marrë nga “Top Channel”