“Thembra...” e Tufës merr çmimin e madh
02/02/2010 Çmimet e letërsisë
Agron Tufa, Ardian Vehbiu, Floresha Dado, Afrim Koçi, Ben Blushi, Eir Plasari, Vilson Blloshmi, Edmond Tupja, Romeo Çollaku dhe Virgjil Muçi janë emrat e fituesve të çmimeve të letërsisë të ndarë dje në Ministrinë e Kulturës. Ashtu siç është bërë traditë, tashmë këto çmime u ndanë për autorë të cilët kanë botuar përgjatë harkut kohor të një viti. Organizatorët e kësaj ngjarjeje e cilësuan shpalljen e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë “një eveniment dhe një motiv më shumë për të mbledhur sërish njerëzit e letrave, personalitetet e shquara të kulturës, për të ndarë së bashku kënaqësinë dhe emocionet e ndarjes së trofeve të veprave më të mira të vitit”. Çmimet e ndara në gjinitë e romanit, tregimit, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë, u shpallën përmes një ceremonie, ku ishin të pranishëm njerëz të letrave, medias dhe ministri i TKRS-së, Ferdinand Xhaferraj, i shoqëruar me tre zëvendësministrat. Juria e përbërë nga Mark Marku (kryetar), Bardhyl Londo (anëtar), Parid Teferiçi (anëtar), Agron Gjekmarkaj (anëtar) dhe Mirela Kumbaro (anëtare), akordoi çmimet “për vlerat më të spikatura në fushën e letërsisë”. “Gjergj Fishta”, “Faik Konica”, “Fan Noli”, “ Mitrush Kuteli”, “Petro Marko”, “Migjeni”, “Lasgush Poradeci”, “Jusuf Vrioni”, “Donat Kurti”, u ndanë në këtë ngjarje të përvitshme, nëpërmjet së cilës vlerësohet krijimtaria letrare, studimore dhe përkthimore, “e cila karakterizohet nga një dallueshmëri e spikatur letrare dhe estetike që i ofrohet editorisë shqiptare përgjatë një viti kalendarik”.
Ministri Xhaferraj në fjalën e tij theksoi se “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si në misionin e saj, ashtu edhe në programin që rrjedh nga politikat kulturore të shtetit shqiptar për kulturën, i ka kushtuar dhe do të tregojë një kujdes të veçantë jo vetëm ndaj librit si produkt kulturor dhe intelektual, por edhe ndaj krijuesve të tij, duke synuar dhe bërë të mundur integrimin e kulturës së shkruar shqipe në vlerat më përfaqësuese të kulturës evropiane dhe asaj botërore”.
Gjithashtu ai vlerësoi jurinë, e cila “prej disa muajsh ka hulumtuar mbi risitë dhe dukuritë letrare që janë shfaqur në botimet e vitit që lamë pas me arritjet më përfaqësuese në fushën e krijimtarisë letrare, studimit dhe përkthimit, që kanë shënuar një nivel kulmor në zhvillimet e sotme letrare”.
“Çmimet Kombëtare të Letërsisë para së gjithash synojnë sa të çmojnë krijimtarinë e shkrimtarëve të ndryshëm në vështrimin e traditës letrare kombëtare, aq edhe të dallojnë dhe promovuar prirjet e reja dhe të frytshme të saj. Në këtë kontekst, letërsia shqipe dhe autorët e saj e kanë krijuar tashmë profilin e tyre, duke e shndërruar krijimtarinë e tyre në një faktor të rëndësishëm në zhvillimet e letërsisë bashkëkohore”, cilësoi ai.
Vlerësimet
“Çmimi i Madh i Letërsisë”
Iu dha shkrimtarit Agron Tufa për librin “Thembra e Akilit” për stilin post-modern, për risinë e zhanrit të miniaturës, për çlirimin e gjuhës nga klishetë dhe për nivele të larta të shkrimit të shqipes.
Çmimi “Gjergj Fishta”
Iu dha studiuesit Ardian Vehbiu për vështrimin e thellë socio-gjuhësor të deformimit të shqipes nën trysninë e dogmës komuniste.
Çmimi “Faik Konica”
Iu dha studiueses Floresha Dado për librin “Sfidat teorike të historiografisë letrare” për trajtimin origjinal të temave të rëndësishme të debatit teorik letrar shqiptar.
Çmimi “Fan Noli”
Iu dha përkthyesit Afrim Koçi për përkthimin në një shqipe të admirueshme të kryeveprës së nobelistit Tomas Mann “Mali Magjik”.
Çmimi “Petro Marko”
Iu dha shkrimtarit Ben Blushi për romanin “Otello, arapi i Vlorës” për aftësinë e ndërthurjeve rrëfimtare dhe për një këndvështrim të ri në romanin shqiptar.
Çmimi “Migjeni”
Iu dha autores së re Eir Plasari për romanin “Bërthama”, për përpjekjen e saj origjinale në shkrimin e prozës.
Çmimi “Lasgush Poradeci”
Iu dha poetit Vilson Blloshmi për botimin e plotë të poezive të tij. Ky çmim vlerëson përpjekjet për emancipimin estetik të artit të poezisë, duke sfiduar banalitetin e regjimit nën të cilin krijoi.
Çmimi “Jusuf Vrioni”
Iu dha përkthyesit Edmond Tupja për përkushtimin e tij të qëndrueshëm në përcjelljen e vlerave të letërsisë shqipe në gjuhën frënge.
Çmimi “Mitrush Kuteli”
Iu dha shkrimtarit Romeo Çollaku për përmbledhjen me tregime “Për shtegtarët e pak metrave katrorë”, për hijeshinë dhe befasinë e gjuhës e të kompozimit.
Çmimi “At Donat Kurti”
Iu dha shkrimtarit Virgjil Muçi për kontributin në afrimin e lexuesit të ri drejt visareve të kulturës popullore shqipe.