Rama-Berishës: Zgjidhjen e ke në tavolinë. Duhet ta pranosh

Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka deklaruar dje se kryeministri Berisha duhet t'i thërrasë logjikës dhe të pranojë zgjidhjen: "Bëhu burrë dhe pranoje zgjidhjen duke i hapur rrugë popullit tënd"
TIRANË- Pavarësisht se greva e urisë ka hyrë në ditën e saj të 17, opozita është e vendosur për t'i shkuar deri në fund kauzës së saj për transparencën e votës.
Një fakt të tillë e ka bërë të ditur kreu socialistë Edi Rama dje gjatë mitingut të radhës, teksa ka konfirmuar edhe një herë se kryeministri Sali Berisha ka një zgjidhje në tryezën e tij dhe se ajo që i mbetet për ti dhënë fund kësaj situate është veçse ta pranojë atë.
Protesta
Pas një ndërprerje një ditore opozita ka rinisur protestat e saj në bulevardin kryesor të kryeqytetit në kërkim të transparencës së votës. Dje ka qenë radha e mbështetësve të Tiranës dhe Durrësit, të cilët duke sfiduar motin e keq, kanë kërkuar hapjen e kutive si dhe i kanë dhënë zëmër grevistëve të urisë për të çuar deri në fund sakrificën e tyre.
Lideri i opozitës duke përshëndetur mitingun e radhës i ka bërë thirrje kundërshtarit të tij politikë, kryeministrit Sali Berisha që ti thërrasë logjikës dhe të pranojë zgjidhjen që ka në tavolinë. "Ka zgjidhje Sali Berisha.
E ke zgjidhjen në tavolinë. Bëhu burrë dhe pranoje zgjidhjen duke i hapur rrugë popullit tënd, duke çliruar energji pozitive dhe duke i dhënë mundësi njerëzve të këtij vendi që të merren me punë e të shohin të ardhmen duke u garantuar në radhë të parë lirinë dhe të drejtën e votës së tyre", - tha kreu socialistë, Edi Rama.
Ai ka theksuar se çdo gjë tashmë varet nga vullneti i palëve për t'i dhënë fund kësaj krize, ndërsa ka pohuar se ai vet është i gatshëm që ta pranojë zgjidhjen e ofruar. "Ne e kemi këtë vullnet. Gjeje Sali Berisha vullnetin dhe hapi rrugë transparencës. Bëje këtë për herë të parë.
Kjo është koha për ta zgjidhur këtë problem të madh, një problem që nuk mund të anashkalohet pa u zgjidhur", - u shpreh më tej Rama. Në të kundërt ai ka paralajmëruar mazhorancën që të mos luajë me kohën dhe nervat e opozitës, pasi ajo nuk do të ndalet së kërkuari kurrë rivendosjen e institucionit të votës, si mundësia e vetme për të shpëtuar demokracinë dhe për të nxjerrë vendin nga kjo situatë. "Kundërshtarët tanë duhet ta harrojnë se ne do të lodhemi, duhet ta harrojnë se ne do të mërzitemi dhe se do të humbasim durimin.
Duhet ta harrojnë se ne rrugën e të vërtetës sonë që është e vërteta që sot ka nevojë Shqipëria, rrugën e transparencës që ka nevojë demokracia, do ta hapim duke mos bërë dëmin më të vogël, për atë që është pasuria jonë e përbashkët. Asnjë nga pengesat që na kanë vënë përpara nuk do të jetë e pakapërcyeshme e pathyeshme për ne", - u shpreh kreu i selisë rozë Edi Rama.
Bizhga
Mitingun e djeshëm e kanë përshëndetur si zakonisht përveç drejtuesve të opozitës edhe grevistë nga brenda çadrave, të cilët pavarësisht kohës së gjatë të mbetur në grevë urie, janë shprehur të pa lëkundur në bindjen e tyre për të vijuar betejën për transparencën e zgjedhjeve.
Njëri prej grevistëve që ka përshëndetur dje në protestë, ka qenë edhe deputeti i Durrësit, Gazmir Bizhga, i cili në fjalën e vet pasi ka shprehur keqardhje për kokëfortësinë e Berishës për të mos reaguar pozitivisht, ka theksuar se e vërteta që gjendet në kutitë e votimit nuk do të vonojë të dalë.
"Ne në Durrës kemi një fjalë të urtë se e vërteta zhytet por nuk mbytet. Ndaj do ju thosha se e vërteta e zhytur në kutitë e votimit nuk do mund të mbytet prej Sali Berishës. Ne jemi të gatshëm ta shpëtojmë atë", - tha Bizhga.
Ndërsa kreu i PLiDr, Spartak Ngjela ka akuzuar kryeministrin se nga frika e protestuesve të opozitës u detyrua të lërë vendin më datën 14 maj duke udhëtuar mijëra kilometra. "250 mijë shqiptarët që vërshuan në datën 14 maj në këtë bulevard e detyruan tiranin të rrinte 2 mijë kilometra larg. Këta 1.3 milionë shqiptarë kurrë nuk do të lenë të largohesh pa dhënë llogari.
Do japin llogari që nga kryeministri barbar e deri te kukullat e tij hajdute. Të tëra paratë kryeministri do t'i dorëzojë këtu, edhe të rrugës, edhe të koncesioneve edhe të detit", - tha Ngjela. Opozita pritet të zbresë sërish sot në shesh në orën 18 për të kërkuar transparencë dhe për të mbështetur grevistët e urisë.