E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Kutitë nuk hapen. Oferta e PS-së, antikushtetuese

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së tha se zgjidhja e ofruar nga PS-ja nuk pranohet. Sipas tij, oferta bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe vendimet e gjykatave


TIRANË- Arritja e një marrëveshjeje politike midis forcave politike duket se është ende larg, kur mazhoranca qeverisëse ka refuzuar sërish ofertën e opozitës për arritjen e një kompromisi politik.


Propozimet e bëra dy ditë më parë nga kreu i opozitës, Edi Rama, që të hapen materialet zgjedhore, ndërsa fletët e votimit t'i lihen për shqyrtim Komisionit të Venecias, janë hedhur poshtë nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili e cilësoi këtë ofertë si antikushtetuese.


Ai tha se ofertat e fundit të Partisë Socialiste, bien ndesh me Kodin Zgjedhor dhe vendimet e gjykatave. Në një deklaratë për shtyp, Patozi nënvizoi se, oferta e opozitës është një keqinterpretim i rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe Byrosë Parlamentare të saj, të cilat sipas tij, e pranojnë marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias, por më parë duhet të kalojnë përmes Gjykatës Kushtetuese.


"Propozimi i fundit i zotit Rama është një keqinterpretim i hapur i deklaratave të Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Byrosë Parlamentare të tij, të cilat theksojnë mundësinë e kërkimit të opinionit nga Komisioni i Venecias, por kjo nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mandatin e komisionit hetimor parlamentar dhe veçanërisht për çështjen e hapjes se kutive",- tha dje Patozi.


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, vuri në dukje se është Gjykata Kushtetuese ajo që mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias, për marrë opinione mbi vendimet e saj. Për të arritur objektivat e saj, sipas Patozit, opozita nuk mund të ushtrojë presion ndaj kësaj gjykate përmes grevës së urisë.


"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit janë të formës së prerë dhe përfundimtare. Është vetëm kjo Gjykatë, e cila po e pa të arsyeshme, mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të dhënë mendim për vendimet e saj.


Dhe natyrisht, në asnjë rast apo rrethanë, si garantë e kushtetutës, asaj nuk mund t'i bëhet presion me greva politike",- u shpreh ai. Nënkryetari i Partisë Demokratike specifikoi gjithashtu se është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që hap kutitë e votimit, dhe se hapja e tyre sipas Patozit, do të shoqërohet me djegien e fletëve të votimit. Kundërshtimi i këtyre veprimeve sipas tij, është antikushtetues.


"Kodi Zgjedhor sanksionon se është KQZ-ja ai që hap kutitë e votimit dhe se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre në arkiv, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit.


Çdo qëndrim tjetër i ndryshëm është anti-ligjor dhe anti-kushtetues",- nënvizoi kreu i grupit demokrat. Pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve dhe ofertës politike nga ana e opozitës, Patozi e bëri të qartë se mazhoranca nuk do të lëshojë pe nga qëndrimi i saj standard, duke thënë se me këtë ofertë Rama po kërkon të dhunojë vendimet e gjykatave, ndërsa shtoi se shumica është e gatshme për dialog, por, pa bërë të mundur hapjen e kutive të votimit.


"Propozimi i fundit i zotit Edi Rama është njëkohësisht edhe dhunimi i fundit që kryetari i Partisë Socialiste po kërkon t'u bëjë kushtetutës, ligjeve, kodeve dhe vendimeve te gjykatave të vendit. Siç dihet tashmë, zoti Rama nuk disponon asnjë dokument për kundërshtim të votave gjatë numërimit.


Partia Demokratike konfirmon edhe një herë qëndrimin e saj të hapur për dialog dhe transparencë të plotë, duke theksuar se gjithçka mund të bëhet vetëm në respekt të kushtetutës dhe ligjeve të vendit",- shtoi Patozi.


Oferta e opozitës për zgjidhjen politike është iniciuar fillimisht nga faktori ndërkombëtar, kur vetë kreu i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosh, theksoi se forcat politike kanë në tavolinë zgjidhjen e krizës politike. Por, Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë ekzistencën e një pakti në tryezën e tij, duke e cilësuar ambasadorin Bosh, si një megafon politik.


Mazhoranca i ka konsideruar si antikushtetuese ofertat e opozitës, duke treguar se ajo nuk do të lëshojë nga qëndrimi saj mbi transparencën e plotë të zgjedhjeve të qershorit, e duke vazhduar në këtë mënyrë të mbajë pezull edhe zgjidhjen e krizës politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›