Veliaj: Greva e urisë ia arriti qëllimit
Kryetari i G99 shprehet se greva e urisë dhe pse nuk ka ende një nënshkrim marrëveshje e ka arritur qëllimin e saj: Shoqëria shqiptare është më e sensibilizuar
TIRANË- Tashmë di të dallojë përbërësit mineral të ujit apo dhe llojin e tyre pa i parë etiketat. Pas 16-të ditësh ngujimi, ku shpirtin e ka mbajtur gjallë me ujë dhe serum Erion Veliaj të thotë se tashmë e kupton shijen e ujit.
Ka humbur disa kile, por përkundër pamjes rraskapitëse që tregon, në ndryshim me të tjetër grevistë ndihet më optimist. Ndihet i tillë jo ngase nga natyra është i tillë, por drejtuesi i G99-ës është i bindur se greva e urisë së 200 deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste ia ka arritur qëllimit.
Për Veliajn, dhe pse ende nuk ka një marrëveshje kompromisi mes opozitës dhe mazhorancës, fakti që shoqëria shqiptare është më e sensibilizuar për Veliajn do të thotë që greva ia ka arritur qëllimit.
Ndaj në një intervistë për "Shekullin" drejtuesi i kësaj force politike jo vetëm që ndihet optimist për të ardhmen e këtij vendi, por tregon se cili do të jetë misioni në të ardhmen, ku kryefjala e çdo lëvizjeje do të jetë transparenca.
Z. Veliaj ju vazhdoni të qëndroni në grevën e urisë ndërkohë që duken të pakta shanset për arritjen e një kompromisi me mazhorancën, referuar deklaratave publike.
Në këtë situatë që ndodheni cila mendoni se do të ishte zgjidhja kur çdo ditë e më shumë rritet numri i grevistëve që detyrohen të përfundojnë në spital?
Në fakt unë nuk e shoh kaq të largët momentin e arritjes së një marrëveshje dhe deklaratat e bëra publike janë një tregues mëse i qartë që ky moment po vjen.
Nëse do të shohim sjelljen e Berishës ndër vite është e njëjtë me atë të vitit 1997. Ditën kur u largua nga presidenca, kur nënshkroi krijimin e qeverisë së stabilitetit, atë mëngjes ka bërë një deklaratë që është tipike për të.
Berisha është gati të çojë vendin në greminë dhe kur nuk ka asnjë shpresë tërhiqet ndaj dhe mua nuk më shqetësojnë deklaratat e bëra publike nga mazhoranca, por ajo që më shqetëson është nëse ai vlen një sakrificë kaq e madhe që po bëjnë këta njerëz të ngujuar këtu për një marrëveshje që do të vijë por me një kosto kaq të madhe.
Ndjej keqardhjen që për gjëra kaq të thjeshta, siç është transparenca, në çdo shoqëri demokratike duhet luftuar kaq shumë. Kjo grevë, kjo sakrificë kaq sublime e këtyre njerëzve do të ishte e pamjaftueshme ose e pamotivuar nëse do të fokusohej vetëm tek transparenca e materialeve zgjedhore.
Ndaj dhe mua nuk më shqetëson aspak arritja e kompromisit sesa e ardhmja e opozitës dhe gjëja e parë që duhet të bëjë, dhe për këtë kam reflektuar gjatë këtu, është kundërmimi ndaj frymës së anti-protestës, anti-mitingjeve me ahengxhinj të paguar dhe artisë që shumica prej të cilëve unë i kam miq. Duhet ti kundërvihemi frymës që ndau këtë vend në dy kampe dhe për këtë është e rëndësishme të falim të gjithë ata që publikisht nuk lanë fjalë për thënë.
Duhet të falim për hir të një të ardhme më të sigurt. Gjëja e dytë që duhet të bëjmë është që transparenca të kthehet në një mision për opozitën në çdo fushë të jetës së kësaj shoqërie.
Me grevën e urisë së zhvilluar përgjatë këtyre ditëve ne ia kemi arritur të zgjojmë sensibilitetin e kësaj shoqërie se e meriton transparencën ndaj them se ia kemi arritur qëllimit. Krijuam një kauzë ku tashmë që nuk ka më shqiptarë që nuk beson në të.
Z. Veliaj kjo do të thotë se ju e quani misionin e kësaj greve të përmbushur?
Sot, ne këtu kemi hyrë në një fazë kur nga zhurma e duartrokitjeve kuptojmë grevistin e radhës që për arsye shëndetësore është detyruar të na braktisë. Nuk jemi më një kapanon ku gëlojnë idetë dhe pasioni i idealeve, por një pavijon serumi ku njerëzit mbajnë shpirtin gjallë.
Na është shpifur shija e ujit, por besoj se siç është kthyer ne jetike serumi kështu është kthyer edhe për shoqërinë shqiptare kjo grevë urie. Shoh që kjo shoqëri paska pasur nevojë për një 30 qershor, 1 maj dhe 14 maj ku për hir të kësaj sakrifice sublime të 200 burrave shoh një shoqëri shumë më të emancipuar sa ishte një muaj më parë.
Ndaj sot jemi në një moment reflektimi, nga qindra e qindra mesazhe dhe njerëz që na mbështesin unë kuptoj pse jam këtu, pse është e rëndësishme kjo grevë urie dhe pse e quaj atë përmbushjen e një misioni historik ku një marrëveshje është vetëm çështje dite.
******************************
Dita e 16-të, 45 grevistë shtrohen në spital
TIRANË- Plot 5 grevistë janë detyruar dje të braktisin çadrën e grevës së urisë për shkak të komplikacioneve të rënda shëndetësore. Kështu, pas 16 ditësh greve uri, numri i grevistëve të shtruar në spital ka shkuar në 45.
Ata janë detyruar nga ekipi mjekësor që të lënë çadrat dhe të dërgohen në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" për të marrë një mjekim më të specializuar. Për shkak të komplikacioneve të rënda shëndetësore, deputeti i PS-së, Blendi Klosi është transportuar në urgjencën spitalore.
Pas një rezistence të gjatë, që vështirësohej për shkak të gjendjes problematike të tij, si pasojë e sëmundjes së diabetit, paraditen e djeshme, situata e tij u paraqit kritike. Mjekët brenda kampit e panë të udhës transportin e tij të menjëhershëm për në spital, pasi problemit të diabetit iu shtuan edhe problemet me tensionin.
Ai u përcoll me duartrokitje nga simpatizantët jashtë çadrave. Ndërsa në orën 09.40 në gjendje problematike është nxjerrë me barelë nga çadra edhe grevisti 65-vjeçar Kiço Tela.
Ndërkohë që para tij, rreth orës 08.00 është dërguar në urgjencë një tjetër grevist. Ai ishte deputeti Agim Leka, i cili u transportua në gjendje të rëndë shëndetësore me një ambulancë drejt infektivit në QSUT për mjekim urgjent. Ndërkohë në mbrëmje, një tjetër grevist, pa dyert e spitalit. Ai është Ferdinand Kapllanaj, 39 vjeç.