Rama: Betejë në çdo fshat e qytet

Rivalitet i gjithanshëm dhe betejë e kudondodhur. Gjuha politike mes palëve, që po shkon gjithnjë e më shumë drejt ekstremizmit, rrezikon t’u japë qytetarëve dy tablo të një situate ku ata vetë janë protagonistë. Përkundrejt propagandës qeveritare të udhëhequr nga Kryeministri Sali Berisha, që flet për suksese spektakolare dhe rritje të eksporteve, opozita e përfaqësuar nga kreu i saj, Edi Rama, ka folur edhe dje për të vetmin realitet që mund të preket nga të gjithë; krizën e gjithanshme që ka prekur vendin. “Shifrat e tremujorit të fundit dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në degradim të vazhdueshëm dhe të pandalshëm. Degradim që s’ka asnjë gjasë të ndalet pa larguar qeverinë, që është shkaku i krizës së gjithanshme të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe vetë ekonomisë të futur në kutinë e shifrave të rreme”, deklaroi Rama. Sipas tij, qeveria në përpjekjen për të mos njohur realitetin, po e falsifikon atë plotësisht, shifrat e saj për çmimet e energjisë nuk përputhen me ato të ERE-s, treguesit e saj për kredidhënien janë larg së vërtetës që tanimë publikohet edhe nga burime të pavarura. Nëse gënjeshtra është marrëdhënia e qeverisë me publikun, ku manipulimi i zgjedhjeve spikat si mashtrim që zhvlerëson demokracinë, atëherë protesta dhe lëvizja qytetare është në optikën opozitare, rruga e vetme për të vendosur normalitetin. “është normale që përballë kësaj situate emergjente, shqiptaret dhe shqiptarët të protestojnë, të protestojnë, të protestojnë. Të protestojnë kundër një pushteti që nuk u mjaftua vetëm me vjedhjen e zgjedhjeve për të ndenjur në këmbë, por që tani kërkon me çdo kusht, të qëndrojë duke shkelur me këmbë çdo parim, normë e vlerë të bashkëjetesës demokratike”, vijoi më tej kreu i opozitë socialiste. Ky pozicionim i përsëritur i Partisë Socialiste, në të vërtetë, ngre pikëpyetje mbi legjitimitetin e qeverisë, duke nisur nga pretendimi për manipulimin e zgjedhjeve. Jashtë debatit teknik që lidhet me trajtimin e aspekteve të ndryshme të procesit elektoral të 28 qershorit, në finale, politika e opozitës shqiptare e ka zhvendosur situatën në kufijtë e normalitetit. Qeveria nuk mund ta injorojë më krizën që sa vjen dhe thellohet, qoftë edhe përmes goditjes së përditshme të veshit të qytetarit me ritualin e kontestimit, që ka vënë në lëvizje edhe ngrehinën e protestës. Por mesazhi i djeshëm i Ramës mund të ketë edhe një vlerë shtesë, meqë ajo përkon në kohë me vizitën e ministrit të Jashtëm italian, Frattini. Duke pritur lajmin e mirë të vizave, që po orientohet që tani në hullitë e betejës elektorale të ardhshme, theksimi i qëndrimeve të forta të PS flet edhe për relativizmin e kontekstit ndërkombëtar në krizën shqiptare. “Protestat në çdo qytet, në çdo fshat, do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen, për të kulmuar më 30 prill e më tej. Protesta dhe vetëm protesta për të zbardhur krimin elektoral, për të ndalur rrënimin ekonomik dhe për të larguar qeverinë...”, ka qenë apeli i Edi Ramës. Në ndryshim nga situata e para disa kohëve, kur të dyja palët ia deleguan zgjidhjen e për pasojë edhe lirinë e veprimit komunitetit ndërkombëtar, aktualisht përballja ka mbetur pa tutorin tradicional. Një vendim i palëkundur për protesta të pandalshme, në kufijtë e kushtetutshmërisë, po përvijohet si një strategji që me gjithë koston e madhe për opozitën, herët a vonë do ta detyrojë shumicën të ndërhyjë për të normalizuar gjendjen.
#