A ekziston ndonjë lidhje mes shprehjeve të fytyrës dhe emocioneve?
çfarë është një emocion? ç’lidhje ka mes shprehjeve të fytyrës dhe emocioneve? Disa studime mbi efektet e toksinës botulinike, të cilat lidhen edhe me estetikën, kanë nxitur debatin rreth natyrës së emocioneve. Rezultatet e arritura nga Universiteti Wisconsin-Madison, të prezantuara së fundmi edhe në konferencën e përvitshme të “Society for Personality and Social Psychology” (Shoqëria e Personalitetit dhe Psikologjia Sociale), tregojnë se përdorimi i toksinës botulinike mund të ndikojë në përpunimin e disa emocioneve. Personat që u nënshtrohen trajtimeve me toksinë botulinike për të parandaluar rrudhat në pjesën e mollëzave, të ballit dhe syve ndiejnë vështirësi jo vetëm në ngrysjen e vetullave, por u duhet më shumë kohë për të shfaqur shprehjet verbale, të cilat u korrespondojnë emocioneve negative (armiqësi, inat, frikë), ndërkohë që nuk ndryshon aftësia për të shprehur emocionet pozitive (shpresë, dëshirë, gëzim, lumturi).
I pari që ka folur për “emocionet e mishëruara” ishte psikologu William James, pothuajse një shekull më parë. Ai shkruante: “Nëse ne imagjinojmë një emocion të fortë dhe më pas përpiqemi të nxjerrim nga koshienca jonë të gjitha perceptimet e simptomave të saj trupore, vëmë re se nuk mbetet asgjë që nuk është një materie mendore, me të cilën mund të zëvendësohet emocioni dhe gjithçka që mbetet është një gjendje e ftohtë e neutrale e perceptimit intelektual”. Fytyra është organi kryesor i shprehjes trupore. Kur fytyra jonë shpreh një emocion, ne a jemi në gjendje ta ndiejmë atë? Eksperti Paul Ekman (aktualisht profesor psikologjie në Universitetin e Kalifornisë) dhe grupi i tij i punës janë përpjekur të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ai u kërkoi disa subjekteve të lëviznin muskujt e fytyrës në mënyrë që të stamponin në fytyrat e tyre një shprehje emocionale të veçantë (për shembull, inat ose gëzim), edhe pse ata nuk ishin në dijeni për qëllimin e eksperimentit: çuditërisht subjektet ndienin një gjendje emocionale që i korrespondonte shprehjes së fytyrës, pa qenë e nevojshme që trupat e tyre në fillim të shfaqnin profilin e aktivizimit që shoqëron emocionin. Ekspertët treguan se jo të gjitha pjesët e trurit “gënjehen” nga lëvizjet që zakonisht prodhohen ndryshe nga zakonisht.
Ideja që ekziston në lidhje mes shprehjeve të fytyrës dhe emocioneve i ka shtyrë për shumë vite studiuesit të kërkonin në fushën e psikologjisë së sjelljes jo verbale. “Për shumë kohë, neuroshkencëtarët kanë studiuar nëse emocionet që formohen në tru transmetohen në fytyrë dhe e kundërta, sot e dimë që të dyja hipotezat e hedhura janë të vlefshme. Trupi, muskujt që kontribuojnë në mimikë marrin pjesë në formimin e emocioneve. Të dyja sistemet ndikojnë në mënyrë reciproke”, thotë një studiues. Por çfarë ndodh nëse një shprehje e vrenjtur tregon se jemi nën shoqërinë e mendimeve që na shqetësojnë? “Kur jemi të shqetësuar apo të stresuar, tensioni muskular rritet. Tensioni psikik në tru shkakton çlirimin e hormoneve të stresit, të cilat zakonisht ndërhyjnë nëpër situata të ndryshme rreziku”, thotë studiuesi. “Në fakt, tensioni nga pikëpamja e mbijetesës është i nevojshëm, sepse të nxit që të luftosh ose t’ia mbathësh. Kjo gjë në vetvete nxit një mekanizëm tjetër që vetushqehet. Në fakt kur truri percepton që muskujt periferikë janë të tensionuar aktivizon alarmin. është një shembull i asaj që quhet ‘feedback’-u pozitiv. Nëse muskulatura është e relaksuar, atëherë edhe mesazhet që shkojnë në tru janë të së njëjtës natyrë, janë sinjale qetësie”. Nga ana tjetër, ekzistojnë shfaqje të ndryshme që ndërhyjnë në lëvizjen e pjesëve të tjera të trupit, duke shkaktuar ndryshime në proceset njohëse dhe emotive.
Studimi i kryer nga departamenti i psikologjisë së Universitetit Wisconsin-Madison ka marrë në shqyrtim 40 subjekte, të cilët kishin përdorur toksinë botulinike. Pas trajtimit me toksinë ‘kaviet’ kishin një shprehje më pak të tensionuar, sepse aftësia e tyre për të rekrutuar muskujt e përfshirë në këtë proces ishin pjesërisht të çaktivizuar. Për të testuar studimin e tij mbi shprehjet e fytyrës dhe emocioneve, njëri nga shkencëtarët u ka kërkuar pacientëve të lexonin disa fraza para dhe pas dy javësh nga trajtimi me toksinë, duke matur kohën e leximit dhe shprehjet emocionale. Frazat shprehnin inat, trishtim (për shembull: ‘hapa adresën time të e-mail-it dhe nuk gjeta asnjë mesazh urimi të shkruar për ditëlindje’), ose ndjesi mirëqenieje. Rezultatet tregojnë asnjë ndryshim në kohë për të kuptuar mesazhet e lidhura me emocione pozitive. Megjithatë, pas trajtimit me toksinë botulinike, subjekteve u nevojitej pak më shumë kohë për të vlerësuar me saktësi frazat që shprehnin inat ose trishtim. Në fund kjo gjë konfirmon hipotezën e “feedback”-ut facial: shprehja e fytyrës është e lidhur ngushtë edhe me aftësinë e “të ndierit” të emocioneve.
#