E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet kontrata për zgjatimin e Rrugës së Kombit

Firmoset kontrata me “Bechtel & Enka” për autostradën Vërmicë-Merdare

Mund të nisë menjëherë ndërtimi i zgjatimit të Rrugës së Kombit, përkatësisht pjesa nga Vërmica (pranë pikës kufitare të Morinit në Kukës) deri në Merdare (lokaliteti ku ndodhet pika zyrtare kufitare e Republikës së Kosovës me Serbinë. Dje është mbyllur formaliteti që legalizon anën dokumentare dhe tani qeveria e Kosovës duhet të mbyllë shpronësimet, të cilat do të zhvillohen paralelisht me punimet. Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare. Ky projekt u tha se do të arrijë vlerën deri në rreth 700 milionë euro. Paratë për realizimin, sipas Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, nga donatorët dhe nga marrja e kredive. Qeveria e Kosovës nënshkroi dje kontratën me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel & Enka”, për realizimin e projektit të autostradës Morinë-Merdare. Për realizimin e këtij projekti u tha se do të nevojiten rreth 700 milionë euro. Në emër të qeverisë nënshkroi ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, kurse në emër të konsorciumit “Bechtel & Enka”, Majkëll Adams dhe Sinan Tara. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Turqisë. Kryeministri Thaçi e cilësoi këtë si një moment historik të realizimit të ëndrrës së Kosovës. “Ky është një moment historik për shtetin tonë. Pra, po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës. është projekti më i madh në historinë e deritashme të vendit tonë. Ky projekt i ndërtimit të autostradës, Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare i ndihmon qytetarët, duke u krijuar mundësi të reja të lëvizjes së lirë, e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon”, u shpreh Thaçi. Realizimi i projektit u përshëndet edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell. Ai tha se pajtohej me bashkëfolësit e tjerë se nënshkrimi i marrëveshjes për projektin e kësaj autostrade paraqet moment historik për Kosovën, që ia hap dyert asaj drejt zhvillimit ekonomik. “Ky projekt do ta shpjerë Kosovën më afër tregjeve botërore dhe, në rend të parë, më afër detit”, tha Dell, duke shpresuar se në të ardhmen, lidhja rrugore do të shtrihet edhe tej kufirit me fqinjin verior, Serbinë. “Mendoj po ashtu se është i rëndësishëm si një simbol i rritjes, forcimit dhe shtimit të kapacitetit të shtetit të pavarur të Kosovës”, tha Dell. Ndërkaq, në emër të kompanisë “Bechtel”, Majkëll Adams, tha se “Bechtel” dhe partneri i tij “Enka”, kanë përvojë të madhe në realizimin e projekteve të ngjashme në vende të Europës. “Presim me padurim të bashkëpunojmë me qeverinë në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe të ekonomisë së saj”, tha Adams. Përzgjedhja e konsorciumit “Bechtel & Enka”, sipas ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, ishte zgjidhja më e mirë. Ai tha se me këtë autostradë, Kosova po lidhet me Europën dhe po bëhet një faktor edhe më i rëndësishëm i rajonit. “Ne po ndërtojmë korridorin, ku do të kryqëzohet e sotmja jonë me të ardhmen më të mirë. Me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj, do të na ofrojë dalje në det, nga do të qarkullojnë njerëzit dhe mallrat nga Kosova në Europë dhe nga Europa në Kosovë”, tha Limaj. Mjetet për realizimin e këtij projekti, që llogariten deri në 700 milionë euro, sipas Kryeministrit Hashim Thaçi, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe, në rast nevoje, edhe nga marrja e kredive. Thaçi, po ashtu, tha se shumë shpejt do të pasojë edhe dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimi i PTK-së dhe ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”. Realizimi i këtyre projekteve, sipas Kryeministrit Thaçi, është prioritet i qeverisë së Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›