E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Bizneset do të klasifikohen, korrektët në raport me shtetin nuk do kontrollohen

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se bizneset të cilat në mënyrë të qëndrueshme do të rezultojnë korrekte në raport me shtetin, nuk do kontrollohen.

Në takimin me përfaqësues të biznesit, në Shtëpinë e Biznesit, ku u prezantuan hapat kryesore që do të ndërmerren në reformën e inspektimeve, Rama tha se këto biznese do të jenë në një fashë A të regjistrit të bizneseve, ku askush nuk mund të shkojë t’i bëjë kontroll.

“Biznesi do të klasifikohet. Kjo është shumë e rëndësishme. Thotë ajo shprehja “të gjithë si këmbët e dhisë”, në fakt nuk janë si këmbët e dhisë të gjithë sepse secili ka pozicionin e vet, ka qasjen e vetë ndaj punës, ndaj ligjit, ndaj shtetit dhe ka edhe nivelin e tij të suksesit. Kështu që, klasifikimi i bizneseve do të bëjë që bizneset të cilat në mënyrë të qëndrueshme do të rezultojnë korrekte në raport me shtetin, nuk do kontrollohen. Pra do të jenë në një fashë A të regjistrit të bizneseve ku faktikisht askush nuk mund të shkojë t’i bëjë kontroll”, tha Rama.

Sipas tij, bizneset e përfshira në këtë fashë do të jenë zonë e ndaluar për inspektime.
“Për faktin që kanë treguar në një proces kohor që i janë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte. Kjo e shoqëruar me inspektime mbi bazë risku, jo mbi bazë territori të inspektorëve që duhet të shkojnë në çdo derë se e kanë territor dhe të trokasin për kafe”, shtoi ai.

Rama bëri të ditur se klasifikimi i këtyre bizneseve do të bëjë të mundur edhe uljen e numrit të inspektimeve, ndërsa paralajmëroi edhe ashpërsim të gjobave për bizneset që gjenden me shkelje.

“Do ta lehtësojë shumë numrin e inspektimeve, do të ulë shumë numrin e inspektimeve. Ne kemi një numër inspektimesh që është katastrofik dhe nuk tregon në fakt forcë, por tregon të kundërtën, tregon dobësi. Nuk tregon në fakt përmbushje misionit, por tregon boshllëk dhe do të bëjmë që të ketë pak inspektime, të ketë shumë këshillim, por ama goditjet të jenë katastrofike për biznesin që nuk futet në binar. Pra numri i gjobave do të ulet në mënyrë drastike, por ama aty ku do vihet gjoba, aty do jetë goditje një hap larg vdekjes së atij biznesi, në kuptimin me pasoja të mëdha në financat e tij”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se numri i lartë i inspektimeve krijon stres te bizneset.

“Nuk ka arsye për të kontrolluar të gjithë dynjanë dhe për të vënë gjoba nga të katërta anët dhe për tu kthyer prapë për të vënë gjoba sepse është vetëm një konfuzion i madh dhe krijon një stres të panevojshëm.Standardi më i lartë i një shteti për inspektimet është ky që thashë. Beso shumë, kontrollo pak, por kontrollo mirë dhe pasi kontrollon mirë, godit po aq fort sa beson. Në mënyrë që frika ta ruajë vreshtin, jo çdo vilë e rrushit të ketë frikë të zhvillohet sepse mund të vijnë dhe ta presin”, tha ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›