Rama: Këshillim i bizneseve në inspektimin e parë, vizita e dytë me afat të përcaktuar

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërmarrjen e një reforme të re në fushën e inspektimit të bizneseve, ku ndër parimet themelore të saj është këshillimi i bizneseve për shkeljet në vizitën e parë dhe jo ndëshkimi me gjobë.
Në takimin me përfaqësues të biznesit, në Shtëpinë e Biznesit, ku u prezantuan hapat kryesore që do të ndërmerren në reformën e inspektimeve, Rama ftoi biznesin t’i bashkohet qeverisë në luftën kundër korrupsionit.
“Do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Parimi: jo gjobë në vizitën e parë, do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të ca inspektorëve te dera dhe vendosjen e një gjobe ose mosvendosjen e saj në bazë të marrëveshjes së heshtur, por konkrete mes inspektorëve dhe biznesit që i përcjell nga dera duke i dhënë atë që ju biznesmenët, që doni që korrupsionin ta luftojë vetëm qeveria, ndërkohë që ju jeni viktimat në aspektin ku bëhet fjalë për raportin me inspektorët, se pastaj nuk jeni viktima, jeni agresorë në rastin kur përfshiheni vetë në procese që janë të paligjshme”, theksoi kryeministri.
Ndërkohë, shtoi ai, kjo nuk mund të funksionojë kështu. Ama, tha ai, në fund të ditës marrëdhënia është shumë e qartë, nuk është biznesi për t’i shërbyer shtetit, është shteti për t’i shërbyer biznesit në aspektin e kushteve dhe në aspektin e garantimit të të gjithë hapësirës së konkurrencës së lirë dhe të drejtë.
“Prandaj duhet të jetë shteti që të hedhë gjithmonë hapin e parë dhe hapi i parë që në këtë rast për të shkuar shumë më larg në procesin e shtetbërjes dhe shumë më pranë krijimit të një shteti anëtar të Bashkimit Europian, këtu, në Shqipëri është vizita e parë, s’ka gjobë. Ka vetëm regjistrim të problemit dhe këshillim dhe kjo do të bëjë që vizita e dytë të jetë me një afat të përcaktuar”, deklaroi Rama.
“Pra mes vizitës së parë pa gjobë dhe të dytës nuk mund të ketë shfaqje të befasishme atje se erdhën festat e Vitit të Ri dhe një inspektor X apo Y do të blejë një gjel deti plus, por do të pritet afati. E ndërkohë problematika do të trajtohet nga institucioni dhe do të trajtohet dhe nga institucioni qendror, ministria përkatëse për të parë se si qëndrojnë nga pikëpamja e karakteristikave të tyre këshillimet ose gjetjet e bëra në procesin që ka përfunduar me këshillim”, u shpreh Rama.
Besoj që ky do të jetë një moment, ku revolucioni që ne kemi nisur kohë më parë, vuri në dukje Rama, do të hyjë në një fazë komplet të re.
“Ku bizneset do të ndihen shumë më të lehtësuara nga stresi që: më erdhën, s’më erdhën, o shef, hajde këtu se kanë ardhur këta, prit, mbaji aty se erdha, por njëkohësisht do të jetë dhe më i përgjegjshëm se kur t’i vijë herën e dytë, nuk do vijë një tog e befasishme por do të rikthehet një trupë e cila është e monitoruar në ndërkohë”, deklaroi ai.