E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Brenda tre viteve, laboratorë inteligjentë në të gjitha shkollat

TIRANË, 7 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje faktin se mësuesit japin mësim sot në shkolla të transformuara të standardeve europiane me laboratorë inteligjentë e palestra sportive.

Kryeministri Rama mori pjesë sot në ceremoninë e vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut të vyer në arsimin shqiptar, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Ju jeni në luftë të përditshme një ‘mësues’ tjetër që është në fakt ‘çmësues’ që rri në xhepin apo në çantën e fëmijëve dhe që në mënyrë të vazhdueshme i nxit përmes të gjitha fytyrave të tij, rrjeteve sociale, që të bëjnë krejt të kundërtën e asaj që ju i kërkoni”, tha Rama.

Kryeministri i siguroi mësuesit se kjo është një sfidë ku nuk janë vetëm, dhe qeveria është gjatë gjithë kohës pranë tyre duke përmirësuar vazhdimisht kushtet dhe zgjeruar mundësitë.

“Sot ju shkoni në një vend pune dinjitoz, në shkolla jo thjesht të transformuara por me standardet e shkollave të mira. Sot mësuesit e teknologjisë apo ata që duan të bëhen kanë në dispozicion laboratorë të standardeve më të larta që do të shtohen vit pas vitit për të mbyllur brenda trevjeçarit të gjitha nevojat e të gjitha shkollave për laboratorë inteligjentë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot në shkolla ka biblioteka ndihmëse që do të vazhdojmë t’i pasurojmë.

Ndërkohë, Rama nënvizoi rëndësinë e rishikimit të kurrikulave dhe teksteve mësimore për të qenë në lartësinë e sfidave të kohës.

“Sot ka edhe dy programe të mëdha që ne jemi të vendosur t’i zgjerojmë më tutje, programi i Arteve dhe Zejeve që është një program që ka pasur shumë impakt aty ku është zhvilluar dhe na ka mësuar se duhet ta zgjerojmë shumë më tepër për t’i dhënë mundësi fëmijëve të kenë akses”, tha Rama.

Programi i Fermave në Shkolla, sipas tij, do të zgjerohet më tutje për të pasur në të gjitha shkollat mundësinë që fëmijët të njihen me tokën dhe prodhimet.

Ndërsa programi i madh i sportit, sipas Ramës, numëron sot 12 mijë fëmijë në një lëvizje që ka ngjallur interesimin dhe respektin e komunitetit olimpik botëror.

“Ky program është i destinuar të rritet duke krijuar një hapësirë të lirë dhe të re për fëmijët, por edhe një fidanishte nga ku jam i bindur se do të dalin talentet e nevojshme për të ngritur nivelet e Shqipërisë dhe në përfaqësimin e saj në kompeticione ndërkombëtare”, shtoi Rama.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›