E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Burgosja politike e Nanos nuk u kthye në revansh ndaj kundërshtarëve

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit të zhvilluar sot në Dibër me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, u ndal te rrugëtimi i PS-së ndër vite, raporti i saj me demokracinë dhe drejtësinë, si edhe sfidat me të cilat është përballur.

Rama tha se lidershipi i Partisë Socialiste është kritikuar shpesh edhe nga vetë militantët e saj për qasjen e butë dhe tolerante në momente të rëndësishme politike.

“Lidershipi i PS-së është kritikuar nga vetë militantët e PS-së pse është i butë dhe tolerant në momente që kanë qenë momente kthesash të mëdha, por njëkohësisht edhe poshtërimesh të mëdha për socialistët dhe të gjithë ata që u poshtëruan dhe u shkelën me këmbë për vite me radhë, ndërkohë që ata që i shkelën vazhduan pa u hyrë gjemb në këmbë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, pikërisht kjo “dobësi” ka qenë forca më e madhe e Partisë Socialiste në raport me shoqërinë dhe demokracinë.

“Pikërisht në këtë “dobësi” qëndron forca e madhe e PS-së, e raportit të saj me shoqërinë dhe me demokracinë. PS nuk kërkoi revansh, por kërkoi shtet të së drejtës”, deklaroi Rama.

Kryeministri kujtoi periudhën kur Partia Socialiste u rikthye në pushtet, duke theksuar se kjo ndodhi në të njëjtën kohë me daljen e liderit të saj nga burgu.

“PS doli nga një opozitë ku kthimi i saj në krye të vendit u bë njëkohësisht me daljen e liderit të saj nga burgu, ku u mbajt padrejtësisht dhe ku u fut politikisht. Por në asnjë moment ai vetë dhe më pas i gjithë lidershipi i PS-së nuk la të kuptohej ndonjë qëllim për t’u hakmarrë duke futur në burg burgosësin e vet”, tha Rama.

Ai theksoi se Partia Socialiste zgjodhi një rrugë të vështirë për të garantuar që burgosjet politike të mos përsëriteshin më në Shqipëri.

“PS nisi një rrugë shumë të vështirë, më të vështirën, për të krijuar kushtet që burgosjet politike të mos përsëriteshin më kurrë në Shqipëri dhe që, nëse do të kishte drejtësi, drejtësinë ta bënte drejtësia dhe jo politika”, u shpreh Rama.

Sipas tij, kjo rrugë e lidh Partinë Socialiste me aspiratën europiane të shqiptarëve.

“Kjo është një rrugë që bashkon PS-në me aspiratën e shqiptarëve, të cilat janë të lidhura me Europën dhe Shqipërinë europiane dhe kjo e bën PS-në natyrshëm të vetmen forcë europianizuese të këtij vendi”, deklaroi Rama.

Në fjalën e tij, Rama tha se Partia Socialiste është karakterizuar gjithmonë nga prirja për të ndërtuar, ndërsa është përballur vazhdimisht me, sipas tij, “forcën e shkatërrimit”.

“PS-në e ka karakterizuar gjithmonë prirja për të ndërtuar dhe gjithmonë ka qenë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›